Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, sot së bashku me ambasadorin e Shqipërisë në RMV, e ka shpërndarë abetaren e unifikuar me Shqipërinë dhe Kosovën, e cila do të përdoret si material shtesë nga nxënësit shqiptarë të klasës së parë.
Ambasadori i Shqipërisë Denion Meidani, u shpreh i lumtur që është pjesë e shpërndarjes së abetares së unifikuar, ndërsa theksoi se kjo për fëmijët simbolizon edhe fillimin e marrëdhënieve me gjuhën dhe traditat shqiptare, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Ishte përvojë e bukur dhe emocionuese që të jem pjesë në hapat e parë të udhëtimit drejt botës së tyre të dijes dhe zbulimit të këtyre nxënësve të vegjël. Abetarja që ne japim sot është më shumë se sa një mjet ditaktit. Simbolizon fillimin e marrëdhënieve të tyre me gjuhën dhe traditat tona kombëtare. Kjo shkollë nuk është e fundit, do të vazhdojmë ta shpërndajmë abetaren në të gjithë territorin e shtetit”, tha ambasadori Meidani.
Ndërsa kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se do të vazhdojnë të punojnë që edhe librat tjerë të harmonizohen me Shqipërinë dhe Kosovën.
“Fëmijët e Maqedonisë së Veriut do të jenë të barabartë me fëmijët nga Shqipëria dhe Kosova. Është hap simbolik, por e fillojmë një proces të harmonizimit të të gjitha teksteve shkollore me Shqipërinë dhe Kosovën. Në periudhën që vjen do të punojmë që kjo abetare të jetë materiali kryesor për mësimin e gjuhës shqipe. Bëhet fjalë për material të rëndësishëm shkollor, pasi aty fillon komunikimi në gjuhën amë. Është angazhim i asaj që planifikojmë të bëjmë në periudhën e ardhshme”, tha Kasami./Telegrafi/
Kasami së bashku me ambasadorin e Shqipërisë shpërndanë abetaren e unifikuar: Do të punojmë që edhe librat tjerë të harmonizohen me Kosovën dhe Shqipërinë appeared first on Telegrafi.