Për ndryshimet në Kodin Penal, kishte një direktivë të qartë evropiane për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë kriminale. Konkretisht, në atë pjesë, ndryshimet në Kodin janë në përputhje me Direktivën Evropiane për ngrirjen dhe konfiskimin e sendeve dhe përfitimeve pasurore, e cila përveç dënimit me burg, fokusohet në konfiskimin e përfitimeve pasurore nga autorët e këtyre krimeve, thonë nga Kabineti i presidentit Stevo Pendarovski pas reagimit të BDI-së për mos nënshkrimin e Ligjit për lojërat e fatit.
Nga atje shtojnë se asnjëherë më parë, për asnjë ligj, Bashkimi Evropian nuk ka reaguar me shkrim që të mos keqpërdoret flamuri evropian para se të miratohet ai ligj, siç ka bërë BE-ja tani në lidhje me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit.
“Letra në të cilën thuhet qartë se nuk është ndjekur procedura, pra letra e Bashkimit Evropian para se t’i dërgohet Presidentit, i është dërguar edhe Qeverisë dhe Kuvendit. Me këtë letër duhet të jenë të njohur edhe zëvendëskryeministri Artan Grubi, por edhe të gjithë anëtarët e Qeverisë”, thuhet në njoftimin e Pendarovskit.
BDI-ja e akuzoi Presidentin për standarde të dyfishta, sepse ai paraprakisht e kishte nënshkruar dekretin për ndryshimet në Kodin Penal të cilat po ashtu kaluan nën flamurin evropian përkundër kundërshtimit të BE-së.
Nga BDI i bëjnë thirrje Pendarovskit që të tregojë motivet e vërteta të mos nënshkrimit të ligjit për lojërat e fatit, por edhe kush, siç thonë ata, e inkurajoi të shkojë kundër vullnetit të qytetarëve dhe deputetëve./Telegrafi/
Kabineti i Pendarovskit: Si asnjëherë më parë BE-ja nuk ka reaguar ndaj keqpërdorimit të flamurit evropian siç bëri me Ligjin për lojërat e fatit appeared first on Telegrafi.