Prokuroria e Strugës sot ka dorëzuar aktakuzë kundër kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, e dyta brenda 20 ditëve. Aktakuza e parë ishte për blerjen e makinës “Audi”, ndërsa aktakuza e dytë ka të bëjë për emërimin e paligjshëm të një drejtori të shkollës.
Kundër Ramiz Merkos ka 16 lëndë aktive në Prokurori, përfshirë edhe këto dy të fundit që përfunduan me akt prokuror, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Nga viti 2006, numri i lëndëve kundër Merkos që kanë kaluar nëpër duar të prokurorëve, ka qenë 30, por është ulur me kalimin e viteve, ndërsa 14 prej tyre janë vjetërsuar.
Nga ana tjetër, asnjë nga prokurorët që trajtuan çështjet nuk mbajti përgjegjësi për vjetërsimin e lëndëve të Ramiz Merkos. Disa prej tyre u “vunë në dukje” vetëm nga mbikëqyrësit e dërguar nga prokuroria e shtetit vitin e kaluar, pasi Merko u fut në listën e zezë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për shkak të dyshimeve për korrupsion të madh.
Ramiz Merko ende nuk është deklaruar publikisht për asnjërën prej akuzave, ndërsa pasi u fut në listën e zezë të SHBA-së, ai u largua nga postet partiake dhe nuk është anëtar aktiv i BDI-së, por ka refuzuar të largohet nga udhëheqësia e Komunës së Strugës./Telegrafi/
Ka 16 lëndë aktive në Prokurori, Ramiz Merko ende pa përgjigje për aktakuzat e fundit appeared first on Telegrafi.