Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, sot ka zhvilluar takim pune me shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer, ku është biseduar për forcimin e bashkëpunimit dhe zbatimin e projekteve për avancimin e sistemit arsimor kombëtar.
Siç kumtuan nga MASH, duke u falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme nga Bashkimi Evropian në proceset reformuese, ministrja theksoi se vendi do të vazhdojë të punojë me përkushtim me BE-në dhe në frymën e partneritetit dhe vlerave të përbashkëta, do të zbatojë aktivitetet e Agjendës së Reformës 2024-2027 që synojnë drejt përmbushjes së objektivave të Planit të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Pjesëmarrja aktive e vendit në realizimin e agjendës evropiane nëpërmjet fondeve IPA, programeve të mobilitetit, na japin besimin se nxënësit tanë së shpejti do të edukohen përmes një sistemi arsimor modern europian. Sistemi i ri për monitorimin digjital të të arriturave të nxënësve, përkatësisht ditari elektronik, i cili po ashtu është zhvilluar me mbështetjen e BE-së, është vetëm një hallkë në zinxhirin e zbatimit të standardeve moderne arsimore”, theksoi Janevska.
Ministrja Janevska e njohu ambasadorin Geer me politikat e Qeverisë së re në fushën e arsimit dhe shkencës, duke theksuar se situata është e tillë që kërkon veprim të njëkohshëm në të gjitha segmentet e dikasterit.
Janevska-Geer: Po punojmë me përkushtim për të krijuar një sistem arsimor evropian për nxënësit appeared first on Telegrafi.