Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i ftuar në studion e RTSH 24, duke iu referuar incidentit ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit, deklaroi se ishte tejkalim kompetencash nga punonjësit e sigurimit të aeroportit.
Ai u shpreh se Aeroporti i Shkupit është privat dhe ka sigurimin e vetë të angazhuar, që është jashtë Ministrisë së Brendshme.
“Mendoj se u tejkalua. Është çështje e sigurimit të Aeroportit të Shkupit. Aeroporti i Shkupit është privat dhe ka sigurimin e angazhuar privat që është jashtë Ministrisë së Brendshme. Ka pasur një keqkuptim dhe besoj se pas kësaj ka lëvizur sërish Presidentja dhe s’ka pasur problem. Tejkalim kompetencash nga punonjësit, jo politikë shtetërore. Vetë kryeministri e ka deklaruar se herën tjetër do e presë dhe përcjellë vetë Presidenten”, tha ai.
Pyetur nëse ka ende racizëm kundrejt Kosovës, Mexhiti theksoi se individë dhe grupe të tilla ka kudo, por në rastin konkret Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende mike.
“Nëse flasim për politikat shtetërore jemi ndër të parët që kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, ka ndërtuar raporte miqësore. Kryeministri i parë që ka vizituar qeverinë në Maqedoni është z.Kurti. Kjo në diplomaci ka domethënien e vetë si dy shtete mike. Këtu janë dhe faktori shqiptar brenda qeverisë. Individë, grupe si gjithandej ka dhe këtu”, u shpreh Mexhiti.
Një incident diplomatik ndodhi më 1 gusht në aeroportin e Shkupit ku presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani tentuan t’i merrnin telefonin celular ndërsa autoritetet e mbajtën të bllokuar në avion për rreth 1 orë.
Ashtu siç bëri të ditur edhe Presidenca e Kosovës, situata u rëndua edhe më tej kur sigurimi i aeroportit tentoi t’ia merrte me forcë çantën dhe telefonin personal, Vjosa Osmanit.
Incidenti me presidenten Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit, Mexhiti: Sigurimi tejkaloi kompetencat appeared first on Telegrafi.