1 maji dhe Pashkët i kanë mbushur më shumë se gjysmën e kapaciteteve në ambientet akomoduese të rivierës Ohër-Strusë, por nuk i kanë përmbushur pritshmëritë e hotelierëve të cilët presin një sezon turistik më të mirë krahasuar me vitet e kaluara.

Kryetari i Shoqatës së Hotelierëve “HOTAM”, Kërste Bllazheski, theksoi se shumica e mysafirëve vendor pushimet do t’i kalojnë jashtë vendit, ndërsa mysafir nga rajoni dhe më gjerë kanë mbushur shtretërit e hoteleve për rreth 60%.“Nuk kemi shumë mysafir vendor. Ata dolën jashtë vendit por turistët e huaj janë këtu, edhe pse jo në nivelin e pritur. Ne nuk mund të mburremi me 80-90% okupim. Numri është dukshëm më i ulët se sa pritej, hotelet janë të mbushur për rreth 60%”, tha Bllazheski për AIM.

Ai pret që numri i turistëve të rritet gjatë muajit maj, gjë që sipas tij, parashikon një sezon të pasur turistik.

“Numri i akomodimeve do të rritet pas Pashkëve dhe presim një sezon turistik më të pasur se vitin e kaluar. Nga fillimi i vitit e deri më tani kemi shumë më tepër fjetje se vitin e kaluar. Ne presim që maji të jetë një nga muajt më të mirë, të mund të krahasohet me muajt e verës në plotësi”, tha Bllazheski.

Sipas tij, po punohet që 90% e shtretërve gjatë muajve të verës të jetë e mbushur me turne të organizuara, ndërsa pjesa tjetër pritet të plotësohet nga mysafir individualë.

“E dimë që rreth datës 2 gusht, një javë para dhe një javë pas, është e vështirë të gjesh një vend. Nëse dikush planifikon të vijë në Ohër ose Strugë në atë periudhë, duhet të rezervojë që tani”, potencoi ai.

Ai gjithashtu konkludoi se sektori i turizmit, veçanërisht ai i hotelerisë, është rikuperuar nga kriza e koronës kur u prek në mënyrë drastike.

“Të gjitha i kemi tejkaluar dhe jemi në një fazë ku duhet të punojmë për një strategji më të madhe dhe po i rikthehemi kërkesave të vjetra nga viti 2017, 2018 dhe 2019, për shtimin e fjetjeve, lehtësimin e detyrimeve tatimore, uljen e TVSH-së në raport me rritjen e sektorit të turizmit, i cili sjell para më të lehta në buxhetin e shtetit”, tha ai.

Pritet që turistët holandezë edhe këtë vit të jenë më të shumtë në bregdetin Ohër-Struse, ndërsa nuk do të mungojnë as mysafir nga Polonia, Turqia, si dhe rajoni. Mirëpo, hotelierët si problemin më të madh e vënë në dukje rrugën nga Shkupi në Ohër, që është arsyeja që turistët serbë i shmangen brigjeve të liqenit të Ohrit dhe i kalojnë pushimet në Greqinë fqinje./Koha.mk/

 

Hotelierët në Maqedoni presin sezon të mirë turistik appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version