I ndjeri Muharrem Nexhipi është kandidati i parë shqiptar për president që ka fituar numër rekord të votave në historinë e zgjedhjeve në Maqedoni. Për 20 vite me radhë, asnjë kandidat tjetër shqiptar nuk ka arritur të kalojë numrin e votave që mori Nexhipi që në zgjedhjet e vitit 1999 garoi nga radhët e PDSH-së.
Ai arriti të fitojë 155.978 vota shqiptare. Atëkohë, president i Maqedonisë u zgjodh Boris Trajkovski i ORBM-PDUKM-së që në raundin e dytë fitoi 582.808 vota, ndërsa Tito Petkovski i LSDM-së mori 513.614 vota.
Trajkovski u ndihmua nga elektorati i PDSH-së, ndërsa supozohet se mori mbi 60 mijë vota shqiptare. Muharrem Nexhipi madje kishte fituar më shumë vota se Stojan Andovi i Partisë Liberale me 111.982 vota. Kandidat i PPD-së ndërkohë ishte Muhamed Halili që fitoi 45.731 vota.
Në zgjedhjet e vitit 2004, Gëzim Ostreni i BDI-së mori 134.208 vota, ndërsa Zudi Xhelili 78.714. President shteti në 2004 u zgjodh Branko Cërvenkovski me 550.317 vota kundrejt Sashko Kedevit të OBRM-PDUKM-së që mori 329.179 vota. Cërvenkovski në raundin e dytë u mbështet nga partneri i koalicionit qeveritar BDI.
Në vitin 2009, në zgjedhjet Presidenciale, Imer Selmani nga Demokracia e Re mori 147.547 vota, i pasuar nga Agron Buxhaku i BDI-së me 73.629 dhe Mirushe Hoxha me 30.225 vota. Në 2009, vota të pastra shqiptare ishin rreth 230.000, që u cilësua si rekord i daljes së votuesve shqiptarë, potencial ky që sikur të ishte i unifikuar, me gjasë kandidati shqiptarë do të futej në garë edhe rrethin e dytë. Megjithatë, këtë vit, mandatin e presidentit të Maqedonisë e fitoi presidenti Gjorge Ivanov, i cili fitoi 453.616 vota në raundin e dytë, duke e lënë pas Lubomir Fërçkovskin e LSDM-së me 264.828 vota.
Në zgjedhjet e vitit 2014, OBRM-PDUKM sërish e kandidatoi Ivanovin për president, ndërsa fitoi një mandat të dytë me 534.910 vota kundrejt Stevo Pendarovskit të LSDM-së që atëkohë fitoi 398.077 vota. Iljaz Halimi i PDSH-së në raundin e parë kishte marrë 38.966 vota, ndërsa BDI kishte bojokotuar zgjedhjet, pasi nuk kishte arritur marrëveshje me partnerin e koalicionit për kandidat konsensual. Megjithatë, dy partitë shqiptare në Parlament – BDI dhe PDSH, kishin mbështetur ndryshimet e Kodit zgjedhor, konkretisht votuan uljen e censusit për zgjedhjen e presidentit, edhe atë nga 50 për qind në 40 për qind të votave, me çrast u dëshmua defaktorizimi i votuesit shqiptarë si faktor kryesor në zgjedhjen e presidentit. Nga 1.779.572 votues sa ishin të regjistruar në Listën zgjedhore, Ivanovi në zgjedhjet e vitit 2014 kishte marrë më pak se 50 për qind të votave.
Tani, në zgjedhjet e vitit 2024, shqiptarët përfaqësohen me vetëm një kandidat të pavarur, të mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA. BDI, PDSH dhe Alternativa – tre parti shqiptare në Qeveri, mbështetje i kanë dhënë kandidatin të LSDM-së, Stevo Pendarovski, ndërsa fushata është zgjeruar në të gjitha vendbanimet e shtetit. Raundi i parë i zgjedhjeve do të mbahet më 21 prill, derisa njëri nga dy kandidatët me më shumë vota, do të zgjidhet president në raundin e dytë më 5 maj./Koha.mk/
Historia e zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni, cili është kandidati shqiptar që ka fituar më shumë vota appeared first on Telegrafi.