Agjencia për Infrastrukturë Rrugore e Bullgarisë (API) ka pjesërisht faj për aksidentin tragjik të autobusit të “Besa trans” në autostradën Struma në vitin 2021, ku jetën humbën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut, vendosi Gjykata e Qarkut në Pernik.

Sipas gjykatës, API-ja është përgjegjëse për 10 për qind të dëmit të shkaktuar dhe duhet të urdhërohet që secilit nga paditësit tua paguajë nga 20.000 levë (mbi 10.200 euro) si kompensim për dëm jomaterial. Gjithashtu, pranohen rrethanat se për seksionin nuk është miratuar akti 16 për autostrada dhe për këtë ka status të rrugës së shpejtë, sepse seksioni ishte lëshuar për komunikacion në vitin 2007 në fazën e aktit 15, thuhet në vendimin e gjykatës.

Bëhet e ditur edhe se shoferi e kishte vozitur autobusin me 106 kilometra në orë, që është shpejtësia maksimale në seksionin prej 120 kilometrave në orë.

“Gjatë projektimit të rrugës së shpejtë nuk ishin respektuar karakteristikat gjeometrike. Pjerrësia tërthore e projektuar e kthesës korrespondon me shpejtësi prej 90 kilometrash në orë, por nuk ka asnjë shenjë rrugore B26/90 kilometër të instaluar në vendet e kërkuara të shpejtësisë”, shtoi gjykata.

Lexo po ashtu
Të gjitha lajmet nga Aksidenti i autobusit në Bullgari

Aksidenti në autostradën Struma ka ndodhur mëngjesin e hershëm të 23 nëntorit të vitit 2021, në fshatin Bosnek. Autobusi turistik në të cilin gjendeshin 52 persona, goditi rrethojën mbrojtëse në rrugë, dhe u dogj në tërësi.

Autobusi, pronë e kompanisë “Besa trans” nga Maqedonia e Veriut, po kthehej nga Stambolli drejt Shkupit. Hetimin për aksidentin e udhëhiqte Shërbimi Hetues Kombëtar. Konkluzionet e para ishin se fajtor është shoferi i autobusit i cili voziste me shpejtësi të madhe.

Më 20 janar 2022 para Gjykatës së Qarkut Pernik ishte ngritur procedurë civile për sigurimin e dëshmive lidhur me aksidentin. Ishin kërkuar vlerësime profesionale lidhur me situatën në një pjesë të rrugës, duke përfshirë edhe shenjat në rrugë, rrethojat mbrojtëse shenjat e komunikacionit.

Në gusht të vitit 2022 familjarët e viktimave parashtruan kërkesë për dëmshpërblim prej 750 mijë eurove kundër API dhe Asociacionit Bullgar të Sigurimit të Veturave. Teza e avokatëve të familjarëve të viktimave është se në momentin e aksidentit ka pasur një numër të madh të parregullsive teknike në rrugë, shenja të gabuara, rrethoja mbrojtëse dhe asfalt jocilësor, që ka ndikuar në aksident.

Në aksidentin e autobusit humbën jetën 45 persona, ndërsa shtatë persona ishin lënduar. Autobusi ishte pjesë e grupit të katër autobusëve të “Besa trans” të cilët ktheheshin nga një udhëtim i organizuar në Stamboll.

Dënim me burg prej një vjet e tetë muaj mori pronari i “Besa trans” Bekim Haxhiu sepse kishte falsifikuar dokumente të cilat pastaj i shfrytëzonin shoferët kur me autobusë e lëshonin vendin. Ishte dënuar edhe firma “Besa trans” si person juridik me dënim në të holla prej 800.000 denarë dhe mori ndalesë për marrje të licencës për transport të udhëtarëve në afat prej katër vjetëve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Në Bullgari zhvillohej proces gjyqësor për aksidentin, ndërsa faji i ishte hedhur shoferit, i cili gjithashtu humbi jetën në aksident.

Gjykata bullgare merr vendim: API-ja pjesërisht fajtore për aksidentin e autobusit ku humbën jetën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version