Kryetari i Bashkësisë së Njësive të Vetqeverisjes Lokale (BNJVL) dhe kryetari i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, në “TV Telma” theksoi se në asnjë moment prej kohës kur është kryetar i BNJVL-së, nuk ka lejuar ndërhyrje politike në Bashkësi dhe gjithmonë përpiqet që pikëpamjet të synojnë zgjidhjen e disa problemeve në një komunë të caktuar siç kanë funksionuar në periudhën e kaluar.
Ai theksoi se BNJVL është e hapur për çdo lloj përkrahje të komunave për zgjidhjen e çfarëdo problemi përmes dialogut, duke sjellë zgjidhje të përbashkët, dhe në këtë mënyrë tejkalimin e të gjitha problemeve dhe sfidave me të cilat ballafaqohen komunat.
“Ajo që ka ndodhur në periudhën e kaluar, për keqardhje duhet të konstatoj dhe besoj se ka qenë një reagim i nxituar i kolegëve të mi dhe besoj se mund të flasim në mënyrë të qytetëruar dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin për tejkalimin e problemeve. Nuk po them se Kosta nuk ka pasur problem, por është dashur të diskutohet, të na informojë kolegu Kostadinov, të kërkojë mbështetje, siç bëri dje Jakimovski. Qytetarët tanë kanë mundur të dëshmojnë se kemi diskutuar për dy problemet më të rëndësishme me të cilat po ballafaqohem, ato dy çështje në të cilat do të fokusohemi në ditët në vijim në bashkëpunim me të, në bashkëpunim me ministritë, për t’u ulur dhe biseduar në një takim të përbashkët”, tha Gjorgjievski në lidhje me zhvillimet e fundit me kryetarin e Strumicës, i cili paralajmëroi largim të mundshëm nga BNJVL.
Gjithashtu, në debat, Gjordjievski theksoi se BNJVL-ja vazhdon të jetë partner i të gjitha komunave dhe sinqerisht e mirëpret atë që tha Kostadinov se komuna e Strumicës nuk po largohet nga BNJVL-ja dhe beson fuqishëm se kështu do të jetë./Telegrafi/
Gjorgjievski: BNJVL është e hapur për ndihmë dhe është urë për lidhjen e komunave appeared first on Telegrafi.