“Të gjitha palët e interesuara në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Greqi, autoritetet kombëtare dhe lokale, shoqëria civile, komuniteti i biznesit dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të punojnë së bashku për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme për Prespën”, tha ambasadori evropian David Geer sot në promovimin e projektit “EU4Prespa” në Resnjë, duke theksuar se me grumbullimin dhe trajtimin më të mirë të ujërave të zeza, menaxhimi i mbeturinave inerte, si dhe hapja e pikës kufitare “Markova noga” do të mundësojë mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit.
“Një kombinim i efekteve nga ngrohja globale dhe aktiviteti njerëzor ka një ndikim dramatik në nivelin e ujit të Liqenit të Prespës, dhe rrjedhimisht në mjedisin që jeton këtu. Është koha për veprim që të përpiqemi ta kthejmë këtë trend”, tha ai.
Sipas tij, suksesi i rivitalizimit të rajonit të Prespës varet nga pushteti qendror dhe vendor, duke përfshirë investimet dhe buxhetin e shtetit.
Vlera totale e programit është 21.5 milionë euro, nga të cilat 18 milionë euro janë siguruar nga Bashkimi Europian, i cili sipas Geer do të mundësojë gjelbërimin e bizneseve të prodhuesve vendas dhe ofruesve të turizmit dhe hapjen e vendeve të punës.
“Shpresoj që rezultati i këtij investimi të kontribuojë në hapjen e pikës kufitare ‘Markova noga’. Nuk kam një datë të saktë se kur do të hapet, por vetë synimi i autoriteteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe i Komisionit Evropian, i cili është i përfshirë në këtë përmes fondeve, që ky vendkalim kufitar të mund të funksionojë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e rajonit ndërkufitar”, tha Geer./Telegrafi/
Geer: Të ndërtohet një e ardhme e qëndrueshme për Prespën appeared first on Telegrafi.