Ambasadori evropian David Geer, tha sot se është i shqetësuar për zbatimin e dobët të rekomandimeve të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK).
Ai theksoi se të gjitha rekomandimet e KSHPK-së dhe të Auditorit të Shtetit nuk janë sekrete, por janë të disponueshme për publikun dhe qytetarët presin që ato të zbatohen në vazhdimësi.
“Puna e KSHPK-së është e një rëndësie të madhe sepse shfaqi shqetësim dhe ngriti çështje që prekin qytetarët dhe institucionet. Është e vërtetë se të gjitha ato rekomandime që vijnë nga KSHPK, të cilat nuk zbatohen, janë shqetësuese për të gjithë ne”, tha Geer gjatë dhurimit të autoambulancave për Emergjencën e Shkupit.
Ai nënvizoi se me kalimin e viteve përqindja e zbatimit të rekomandimeve që dalin nga KSHPK ka shënuar rënie.
“Nëse shikoni të gjitha rekomandimet që dalin nga KSHPK-ja, si dhe përqindja e zbatimit të tyre ndër vite, vërehet se nga 20 për qind bien në 10 për qind dhe deri vonë ishte 14 për qind. Është vërtet shumë zhgënjyese dhe qytetarët me të drejtë presin një nivel të lartë të zbatimit të rekomandimeve të tyre. Të gjitha rekomandimet që dalin nga raporti i Auditorit të Shtetit dhe KSHPK-së nuk janë sekrete. Ato janë në dispozicion të publikut dhe ne, si dhe qytetarët presim që ato të zbatohen në mënyrë të vazhdueshme”, theksoi Geer./Telegrafi/
Geer: Na shqetëson zbatimi i dobët i rekomandimeve të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit appeared first on Telegrafi.