Deputetët e Frontit Europian sot në konferencë për shtyp nga Kuvendi thanë se e mbështesin propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për lojërat e fatit.

Ata thanë se kolegët nga partitë e tjera të koalicionit kanë deponuar sot nënshkrimet e tyre për këtë propozim, të cilin dje e lëshuan në procedurë parlamentare.

“Ndryshimet e propozuara parashohin mbylljen e të gjitha objekteve të lojërave të fatit në vendbanimet tona dhe veprimin e tyre vetëm në hotele me pesë yje. Me këtë ligj, kazinotë, bastoret dhe objektet e tjera të bixhozit do të largohen nga shkollat, lagjet, fshatrat dhe vendbanimet tona dhe do të jenë vetëm në objekte të caktuara, gjegjësisht në hotele me pesë yje. Me këtë mbrojmë të miturit, shtresat sociale dhe qytetarët në përgjithësi nga kjo dukuri që po rrezikon shoqërinë tonë çdo ditë e më shumë”.

“Ftojmë deputetët e VLEN që t’i bashkangjiten propozimit tonë dhe të realizojnë premtimet e dhëna gjatë fushatës parazgjedhore për mbylljen e kazinove. Gjithashtu i ftojmë ata që të kërkojnë edhe nga partnerët e tjerë të shumicës parlamentare që të mbështesin ligjin si në fazën e propozimit ashtu edhe gjatë votimit në seancë. Mbështetje presim edhe nga deputetët e partive të tjera parlamentare të cilët ua duan të mirën qytetarëve”, thanë deputetët e Frontit Europian.

Fronti Europian: Ligji për mbylljen e lojërave të fatit mbështetet nga të gjithë deputetët tanë appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version