Kryetari i LSDM-së dhe deputeti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, së bashku me koordinatorin e grupit parlamentar të LSDM-së Oliver Spasovski dhe deputetin Fatmir Bytyqi, zhvilluan takim me kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Elisa Spiropali, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në vend.
Në takim, siç informojnë nga LSDM-ja, është biseduar për marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si dhe për politikat e ardhshme në drejtim të përshpejtimit të procesit eurointegrues të dy vendeve.
Filipçe dhe Spiropali, ranë dakord se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria patjetër të vazhdojnë së bashku rrugën evropiane, me fokus në përmbushjen e detyrimeve dhe shkëmbimin e përvojave në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian i cili është i rëndësishëm për të ardhmen e qytetarëve të të dy vendeve.
Në këtë kontekst, Filipçe potencoi se është i shqetësuar për politikën e qeverisë aktuale në lidhje me procesin e integrimeve evropiane të vendit.
“Qeveria aktuale nuk ndërmerr hapa konkretë rreth përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të vendit pavarësisht se premtuan përmirësimin e pozicionit negociator. Për momentin kemi një situatë ku rruga drejt BE-së është vënë në një situatë të rrezikshme, ndërsa bashkë me atë edhe e ardhmja e vendit”, tha Filipçe.
Në takim u konfirmua bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, dhe rëndësia e forcimit dhe avancimit të bashkëpunimit rajonal si në planin ekonomik ashtu edhe në atë dypalësh.
Ndërkohë, në takim, Filipçe theksoi bashkëpunimin me Partinë simotër socialiste të Shqipërisë, në nivel bilateral dhe në kuadër të Partisë së socialistëve evropianë.
Filipçe-Spiropali: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet së bashku të vazhdojnë rrugën evropiane appeared first on Telegrafi.