Kështu duken disa nga rrugicat e lagjes Vizbeg.
Mjafton një ditë të bie shi dhe me javë të tëra, fëmijët janë të detyruar të veshin çizme ose t’i mbështjellin këpucët me qese të plastikës “për të shpëtuar” nga balta.
Mumin Imishti banorë i kësaj lagjeje thotë se qytetarët janë të detyruar çdo muaj t’i rregullojnë veturat që po ua prishin rrugët.
“Faktikisht neve janë duke na gënjyer. Nuk vijnë me e ndërtu rrugën. Këtu më poshtë ka gropa, atje më lartë mblidhet uji dhe gratë e fëmijët duhet të veshin çizme për ta kaluar ujin, ose për hekurudhat e trenit të rrezikojnë jetën fëmijët që të dalin të ecin në rrugë”- thotë Mumin Imishti banor i Vizbegut.
“Rruga është ‘llom’ fëmijët po detyrohemi t’i dërgojmë ditë për ditë në shkollë. Kur bie shi rregullisht ka baltë. Askush nuk vjen të interesohet. Nëse thërret taksi, taksitë nuk vijnë deri lartë, duhet t’i zbresim deri poshtë, edhe qese u lidhim fëmijëve tek këpucët aq shumë që balta bëhet deri tek gjunjët”- thotë Nurhane Baftiu, banore e Vizbegut.
“Ne jetojmë këtu në Vizbeg, dhe fëmijët shkojnë në shkollë zhyten nga balta. Ditë përditë po na plasin gypat e ujit. Të vini t’i shihni se çfarë bëhet këtu në Vizbeg. Kjo rrugicë lidhet me atë tjetrën, fëmijët zhyten. Me qese i veshim tek këpucët mos të zhyten për të shkuar në shkollë.”- thotë Shefki Emini, banor i Vizbegut.
“Nuk ka ardhur askush, kanë ardhur 2-3 herë, por asgjë nuk kanë bërë.
A e keni të vështirë të kaloni?
Po vështirë shumë, sepse po bie shi dhe bëhet baltë e madhe, nuk kemi nga të kalojmë, as nuk vijnë ta shohin as ta rregullojnë, fëmijët ashtu po shkojnë nëpër baltë në shkollë.”- thotë Tasim Sinani, banor i Vizbegut.
TV21 u drejtua te kryetari i komunës së Butelit Darko Kostovski. Ai thotë se në tremujorin e parë të këtij viti do të riparohen rrugët të cilat janë më të dëmtuara.
“Është përgatitur projekti bazë dhe ka përfunduar procedura tenderuese për rrugën 1 në Vizbeg, në gjatësi prej 650 metrash. Rruga që të çon në shkollën e re fillore, do të realizohet në tremujorin e parë të vitit 2024. Gjithashtu do të fillojmë me hartimin e dokumentacionit të projektit për rikonstruim të rrugës së Kaçanikut dhe për disa rrugë të tjera që janë më të dëmtuara. Të gjitha gropat do të riparohen së shpejti”- deklaroi Darko Kostovski, Kryetar i Komunës së Butelit.
Pyetëm edhe në Ndërmarrjen e Ujësjellësi dhe Kanalizimi, për plasjen e gypave të ujit, por nga atje nuk dhanë përgjigje.
Fëmijët nga Vizbeg mbështjellin këpucët me qese plastike “për të shpëtuar” nga balta appeared first on Telegrafi.