Pas disa ditësh bisedime, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) gjetën zgjidhje për mbarëvajtjen e procesit arsimor për nxënësit e klasës së shtatë.

MASH njofton se nga shtatori do të mund të shfrytëzojnë tekstet shkollore që janë përdorur deri më tani, me materiale shtesë që do të përgatiten nga Byroja për temat që u mungojnë dhe janë planifikuar të studiohen këtë vit. Për këtë qëllim është marrë vendim që të shtyhet zbatimi i Konceptit për arsimin bazë, në klasat e shtatë, tetë dhe të nëntë.

Sfida me gjeneratën e nxënësve që nga shtatori do të jenë në klasën e shtatë, lindi për shkak se deri më tani nuk janë përgatitur tekste të reja për ta, në përputhje me kurrikulat dhe Konceptin e ri.

“Edhe pse udhëheqësia e mëparshme e Ministrisë së Arsimit publikisht ka informuar se të gjitha tekstet shkollore janë përgatitur dhe janë duke u shtypur, realiteti është se asnjë nuk është shtypur dhe shumica e tyre as nuk janë përgatitur dhe as miratuar”.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës falënderon drejtorin e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, Abdulfeta Fetai, dhe të gjithë ata që morën pjesë në procesin e gjetjes së zgjidhjes, dhe pret vazhdimin e bashkëpunimit të mirë në interes të nxënësve dhe arsimit cilësor”.

“Ju njoftojmë se do të ketë tekste krejtësisht të reja për klasën e shtatë nga viti shkollor 2025-2026. Nëse Koncepti për arsimin bazë, i cili është në proces rishikimi, sipas mendimeve të mësimdhënësve dhe palëve të tjera të interesit në procesin arsimor, ndryshohet dhe ka nevojë, do të përgatiten kurrikula dhe tekste të reja edhe për klasët tjera”, thonë nga MASH.

Edhe për klasët e shtata do të ketë libra në vitin e ri shkollor, MASH dhe BZHA gjejnë zgjidhje kalimtare appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version