Grupi parlamentar i partisë “E Majta” sot në Parlament dorëzoi interpelancë për punën e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi për shkak se “po vendos politika joparimore në Kuvend”.

Bazohet në shtatë pika, të sqaruara në dhjetë faqe. Kryetari i partisë E majta, Dimitar Apasiev në konferencë për media tha se pret që kryetari i Kuvendit, Gashi, ta vendosë në rend dite në seancë pas pushimit veror, gjegjësisht në fillim të shtatorit, në mbledhjen e parë të ardhshme pasi të kalojnë 10 ditë pune.

Dy pikat e para kanë të bëjnë me shkeljen e laicitetit të shtetit me lutjen grupore në Kuvend të cilën e ka bërë Gashi dhe shkeljen e rregullave diplomatike për sigurimin e personaliteteve VIP me incidentin në Aeroportin e Shkupit para pesë ditëve në të cilën mori pjesë shefi i sigurimit të Gashit.

Lidhur me lutjen grupore Apasievi tha se është “diçka pa precedent në historinë e Kuvendit maqedonas”, është shkelur neni 19 dhe amandamenti 7 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, është shkelur praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe ligji i veçantë për pozitën juridike të kishës, bashkësisë fetare dhe grupit religjioz.

“Baza e dytë mbi të cilën parashtrojmë interpelancën është shkelje e rregullave diplomatike për sigurimin e personaliteteve VIP, ndërsa ai është rasti aktual kur shefi i sigurimit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë ka marrë pjesë në një skandal praktikisht diplomatik në Aeroportin Ndërkombëtar në Shkup dhe kryeparlamentari Gashi pranoi publikisht se ai personalisht ka dhënë urdhër për ndërhyrjen e tij në një zonë të palejuar”, tha Apasiev.

Arsyet e kërkesës për shkarkimin e Gashit nga funksioni i tij, sipas partisë E majta, janë edhe shkelje e përdorimit të gjuhës maqedonase sepse Gashi, siç tha Apasievi, “me vetëdije e shtyp gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik dhe fut dygjuhësi të paligjshme edhe për deputetët të cilët janë maqedonas”, pastaj shkelje e rregullave për përdorimin e shenjave shtetërore me faktin se në sallën plenare, në kundërshtim me ligjin, “ilegalisht qëndrojnë dy flamuj të tjerë, d.m.th. flamuri i NATO-s dhe flamuri i BE-së ku ne nuk jemi ende anëtarë”.

Është shkelur, tha, edhe parimi i papajtueshmërisë së funksioneve, gjegjësisht i bëjnë thirrje për përgjegjësi politike Gashit sepse nuk ka konstatuar ndërprerje të mandatit të deputetit të sapozgjedhur Talat Xhaferi “i cili ilegalisht i kryente funksionet kryeministër dhe deputet”.

Lideri i partisë E majta tha se pret që deputetët ta votojnë interpelancën e tyre për punën e Gashit me atë që do ta thirrnin në përgjegjësi politike.

 

“E Majta” dorëzon interpelancë ndaj Afrim Gashit appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version