Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër dy personave shtetas të Belgjikës, të cilët dyshohet se si bashkëkryerës kanë kryer vepër penale “mashtrim” nga neni 278 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Siç thonë nga Prokuroria, të dyshuarit, një burrë dhe një grua nga Antwerpi, mbërritën në RMV më 6 prill me një fluturim nga Vjena, dhe duke shmangur kontrollin doganor në aeroport, transferuan mallra të padeklaruara – gjithsej 209 copë bizhuteri ari me peshë 1711,1 gram dhe me vlerë totale prej 479.555 euro.
“Pas kalimit të kontrollit të pasaportave në Aeroportin e Shkupit, të dyshuarit kanë shkuar në kanalin jeshil, ku kalojnë pasagjerët të cilët nuk kanë mall për të deklaruar, ndërsa i dyshuari i dytë gjatë përzgjedhjes nga doganieri është udhëzuar në skaner ta kontrollojë bagazhin e tij personal, ku është vërejtur se dy valixhet ishin të mbushura me kuti bizhuterish bosh dhe sende të tjera të padeklaruara”.
“Ai ka sqaruar se ka qenë duke udhëtuar me gruan e tij, e cila është e dyshuara kryesore dhe se ajo ka kaluar kontrollin e pasaportës. Pak më vonë e dyshuara është kthyer dhe gjatë kontrollit plotësues doganor në bagazhin e saj personal – çantën e shpinës që mbante me vete – janë gjetur malli i padeklaruar – bizhuteri ari, të cilat janë konfiskuar”.
“Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozimin për caktimin e masës së paraburgimit për dy shtetasit e huaj të dyshuar për kontrabandë me mallra me vlerë të madhe”./Telegrafi/
Dyshohen për kontrabandë të arit në vlerë prej gjysmë milioni euro në aeroportin e Shkupit, hapet hetim për dy persona nga Belgjika appeared first on Telegrafi.