Vala e të nxehtit dhe me temperatura të larta që e kapluan vendin ndikon negativisht në të gjitha kulturat bujqësore. Siç theksojnë agrometeorologët, megjithatë moti i thatë dhe i ngrohtë është i favorshëm për vjeljen e elbit e cila është drejt fundit si dhe për vjeljen e grurit e cila po vijon.
“Në rrezik janë të gjitha kulturat, pranverore, industriale, kopshtare, frutore, veçanërisht ato ku nuk ka kushte të mjaftueshme për ujitje. Kërcënohen edhe kulturat shumëvjeçare, ku rezervat ujore në shtresat e thella janë vazhdimisht në rënie”, theksojnë agrometeorologët nga DPHM-ja.
Sipas tyre, nevojat për ujë të të gjitha kulturave bujqësore janë të mëdha dhe të përhershme. Prandaj, rekomandohet që prodhuesit të përdorin të gjitha objektet e mundshme të ujitjes.
“Në ditët në vijim vazhdon periudha e motit me diell dhe shumë e nxehtë, me temperatura ditore që kalojnë 40 gradë Celsius. Nga sot deri në mesin e javës së ardhshme në disa vende do të aktivizohet niveli portokalli për rrezikun e temperaturave të larta. Pasditen e së dielës do të ketë dukuri të izoluar të motit të paqëndrueshëm me reshje të dendura shiu dhe bubullima. Temperatura minimale e ajrit do të lëviz nga 14 deri në 24, ndërsa ajo maksimale nga 34 deri në 42 gradë Celsius”, kujtojnë agrometeorologët.
DPHM: Vala e të nxehtit ndikon negativisht në të gjitha kulturat bujqësore appeared first on Telegrafi.