Ministria e Shëndetësisë do të formojë Komision profesional për rastin me lehonën nga Dellçeva, e cila më 26 dhjetor të vitit 2023 vdiq në Klinikën për Anestezi, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv në Shkup, e cila është sjellë në gjendje të vështirë shëndetësore nga Spitali klinik-Shtip.
Nga zyra e ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti për AIM thonë se formimi i komisionit profesional është me rekomandim të Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH). Ky Komision duhet ta shqyrtojë mënyrën e trajtimit dhe nëse janë bërë lëshime, ndërsa raporti pritet për dhjetë ditë.
Inspektorët e ISHSSH-së menjëherë kanë kryer mbikqyrje në Spitalin klinik-Shtip dhe KARKI-Shkup, ndërsa më 29 dhjetor të vitit 2023 përmes kumtesës së shkruar informuan për inspektimin e dy Klinikave në vend.
Udhëheqësia e Spitalit klinik-Shtip më 28 dhjetor përmes një komunikate njoftoi për ecurinë e ngjarjes dhe ç’farë ka ndodhur në Repartin për Gjinekologji dhe Obstetrikë. Në të qëndron edhe se sipas Komisionit për kontroll të cilësisë dhe çështjeve etike të Spitalit klinik-Shtip nuk ka lëshime në trajtimin e pacientes.
Foshnja e lehonës 26-të vjeçare ndodhet në Repartin e Kujdesit Intensiv në Klinikën e Fëmijëve në Shkup. Drejtoresha e Klinikës për fëmijë, Valentina Cvejoska-Çollakovska, thotë se gjendja shëndetësore e të porsalindurit është përmirësuar dhe nuk është në ventilim mekanik.
“Foshnja ndodhet ende në Repartin e Kujdesit Intensiv dhe Terapisë, por është përmirësuar dhe nuk është më në ventilim mekanik. Vazhdon terapia dhe monitorimi intensiv në Repartin e Kujdesit Intensiv. Presim që në ditët në vijim të transferohet në repartin e neonatologjisë”, thotë për AIM Cvejoska-Çollakovska.
Do të formohet Komision ekspertësh për rastin e vdekjes së lehonës nga Dellçeva appeared first on Telegrafi.