Maqedonia e Veriut është mbi një dekadë mbrapa vendeve të zhvilluara në lidhje me ofrimin e shërbimeve digjitale për qytetarët e saj, pavarësisht se procesi i transformimit digjital ka filluar para 20 vitesh. Edhe ato pak shërbime që ofrohen në mënyrë digjitale, kanë nivel të ulët sofistikimit, ndërkaq në vend ende ka institucione që nuk kanë as kompjuter. Profesori universitar, Marjan Gushev, thekson se situata me procesin e digjitalizimit është e rëndë, ndërkaq fajtor për këtë është mungesa e vullnetit politik.
“Nuk është problemi që je në mesin e të fundit, problemi është se sa vjet je i vonuar. Hulumtimet e atëhershme tregonin se ne jemi vonë së paku 10 vite. E tani ku është problemi edhe më i madh. Në ndërkohë ka kornizë dhe më pas edhe një kornizë më të re ku ne jemi absolutisht shumë ulët të klasifikuar. Vonesa, nëse e matim me numër të viteve, nëse ka qenë 10 vite paraprakisht tani është edhe më e madhe. Ne jemi shumë vonë mbrapa vendeve të zhvilluara. Gjegjësisht nuk mundemi ne të vlerësojmë se kemi digjitalizim, nëse miratojmë ligj për dokumente elektronike, i cili më vonë nuk është zbatuar në ligjet tjera ose personat përkatës përgjegjës nuk i obligojnë të punësuarit t’i shfrytëzojnë ato shërbime”, tha Marjan Gushev, profesor universitar.
Gushev thotë se autoritetet duhet të angazhohen më shumë për të përmirësuar gjendjen, pasi që problemi nuk është vetëm te votimi i ligjeve apo hapja e tenderëve.
“Për fat të keq, gjendja është shumë e keqe. Shpresoj që kjo do të prekë deri te garniturat e ardhshme, të cilat do të jenë përgjegjëse dhe nuk do të zbresë vetëm në shpallje të tenderit për t’u bërë diçka, pasi zgjidhja teknike në këtë rast është vetëm 10 deri 20% nga problemet gjithëpërfshirëse të problemeve që duhet të zgjidhen, vullneti për t’u zbatuar është më i martë”, tha Marjan Gushev, profesor universitar.
Nga ana tjetër, Komisioni Evropian në lidhje me procesin e digjitalizimit, dy vite radhazi i rekomandon Maqedonisë së Veriut që ta miratojë Strategjinë e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, por edhe Strategjinë për Siguri Kibernetike. Vendi, gjithashtu duhet ta harmonizojë legjislacionin me atë të BE-së. Përbërja e kaluar qeveritare dhe kuvendore, pavarësisht premtimeve disavjeçare, nuk arriti ta miratojë Ligjin për Sigurinë Rrjeteve dhe Sistemeve të Informacionit dhe Transformimit Digjital, i cili parashikonte themelimin e Agjencisë Digjitale. Agjencia, parashikohej të ishte institucion udhëheqës në procesin e digjitalizimit të shërbimeve, trajnimit të qytetarëve, por edhe mbrojtjes së institucioneve nga sulmet kibernetike, të cilat gjatë periudhës së kaluar ishin të shpeshtuara./Alsat.mk
Digjitalizimi i shërbimeve në Maqedoninë e Veriut është një dekadë mbrapa appeared first on Telegrafi.