Ministria e Punëve të Brendshme në RMV ka dalë me detaje në lidhje me aksionin policor që sot u realizua në Tetovë dhe në Ohër.
Nga MPB thonë se departamenti për luftimin e krimit të organizuar dhe të rënda, së bashku me hetuesit nga Qendra Hetimore e Prokurorisë Publike QKK, dhe nën udhëheqjen e Prokurorit Publik nga Prokuroria Themelore Publike, kreu aksion të koordinuar në kuadër të të cilit u zbardh plotësisht një organizim kriminal në rajonin perëndimor.
Nga MPB thonë se në aksion janë privuar nga liria 13 persona, ndërsa një person nuk është në dispozicion të organeve të rendit. Kontrollet janë kryer në 17 lokacione në rajonin e Tetovës dhe në Ohër, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe konfiskuar automjete pasagjerësh, një sasi e madhe parash dhe flori, resiverë, një thikë, një pistoletë gazi, 3 laptopë, radiolidhje, libra regjistrimi të të ftuarve dhe dokumentacion kontabiliteti. Në ambientet e hotelierike janë gjetur 35 vajza me origjinë nga Ukraina, Rusia, Maqedonia, Serbia, Moldavia, Shqipëria dhe Kolumbia”.
“Për një periudhë të caktuar kohore grupi merrej me ndërmjetësimin e kryerjes së prostitucionit dhe tregtisë së paligjshme të drogës dhe anëtarët e grupit fshehnin të ardhurat e fituara në mënyrë të paligjshme nga këto vepra kriminale duke pastruar para dhe produkte të tjera nga veprat penale”.
“Grupi i organizuar ishte krijuar nga një 35-vjeçar nga fshati Bogovinë, i cili organizonte dhe koordinonte aktivitetet kriminale të anëtarëve të tjerë të grupit dhe në objektet hotelerike në fshatrat Zherovjan, Sedllarcë e Epërme dhe në Ohër, duke çuar për prostitucion vajza të huaja që punonin edhe si valltare në klube striptizi”.
“Punën faktike të dy prej klubeve ishte organizuar dhe menaxhuar nga vëllai i tij (i dyshuari i dytë), ndërsa i dyshuari i tretë menaxhonte dhe organizonte punën e klubit striptizi në Ohër. I dyshuari i katërt merrte pjesë në sjelljen e vajzave për prostitucion në lokalet e hotelierisë dhe merrej me organizimin e udhëtimit dhe hyrjes së tyre në vendin tonë, si dhe lehtësimin e procedurave për marrjen e dokumenteve për qëndrim të ligjshëm të shtetaseve të huaja, si dhe jepte udhëzime për veprimtari kriminale anëtarëve të tjerë të grupit përsa i përket akomodimit dhe transportit të vajzave”.
“Pesë anëtarë të grupit kriminal ishin ngarkuar për sigurimin dhe shitjen e paautorizuar të drogës, kryesisht kokainë, te vajzat dhe të ftuarit në lokalet e hotelierisë. Njëri prej tyre ndihmonte dhe lehtësonte aktivitetet e transferimit të drogës dhe ishte punësuar posaçërisht për paralajmërim gjatë kontrolleve policore dhe ishte përgjegjës për ndjekjen e lëvizjes së policisë gjatë rrugës për në klube, për të cilën njoftonte anëtarët e grupit. Dy të dyshuar si anëtarë të grupit kanë marrë pjesë në prostitucionin e vajzave. Ata u ngarkuan me sigurimin e vajzave që do të punonin në klubet e striptizimit, i gjenin përmes kontakteve të tyre në vende të huaja, faqeve të internetit dhe në internet, organizonin hyrjen e tyre në vend, përgatitjen e dokumentacionit të rremë për qëndrimin fiktiv të vajzave në hotele në vendin tonë me anë të të cilave anashkalonin procedurat për marrjen e vendbanimit të ligjshëm nga autoritetet administrative”.
“I dyshuari i dymbëdhjetë ka qenë i ngarkuar për transportin e vajzave nga aeroporti dhe stacionet e autobusëve në striptizat ku kanë qëndruar dhe akomoduar, si dhe transportin gjatë lëvizjes së tyre para dhe pas punës në lokalet e natës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Prej atje gjithashtu thonë se pjesë e grupit kriminal ishin dy zyrtarë – një zyrtar i burgut nga Burgu i Tetovës dhe një polic – një inspektor i lartë nga Tetova, të cilët, duke shfrytëzuar pozicionin dhe kontaktet e tyre, paralajmëruan grupin për veprimet e policisë dhe ushtronin ndikim për të lehtësuar procedurën penale kundër grupit dhe ndaj shtetasve të huaj.
“Me veprime të koordinuara disamujore të hetuesve të Qendrës Hetimore të Prokurorisë dhe pjesëtarëve të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rënda në MPB, janë dokumentuar dhe vërtetuar aktivitetet dhe detyrat e secilit anëtar në këtë shoqatë kriminale në detaje”, thuhet në njoftimin e MPB-së./Telegrafi/
Detaje nga aksioni policor në Tetovë – janë arrestuar 14 persona, kanë organizuar prostitucion dhe shitje të lëndëve narkotike appeared first on Telegrafi.