Dhoma e mbrojtur, gjegjësisht e ashtuquajtura “dhoma e shurdhër” në Kuvend është pothuajse e përfunduar dhe në të janë vendosur të gjitha pajisjet. Hapja zyrtare e Dhomës së Mbrojtur pritet të bëhet në fund të tetorit të këtij viti, informojnë për MIA-n nga Kuvendi.
Kryeparlamentari Afrim Gashi në brifingun e parë me gazetarët të martën tha se “dhoma e shurdhër” ka përfunduar plotësisht dhe se 99 për qind e punës është kryer.
Mendoj se pjesa administrative, pranim-dorëzimi teknik duhet të përfundojë dhe të vihet në funksion. Pres që gjatë shtatorit apo tetorit “dhoma e shurdhër” të jetë plotësisht në përdorim”, tha Gashi.
Ndërtimi i Dhomës së Mbrojtur, siç theksohet nga Kuvendi, është gjithashtu një kërkesë e NATO-s dhe do të jetë veçanërisht e rëndësishme dhe e nevojshme gjatë hapjes së kapitujve 23 dhe 24 në negociatat e anëtarësimit me BE-në për anëtarësim në Union. Ndërtimi i dhomës duhet të krijojë kushte për mbikëqyrje efektive parlamentare të shërbimeve të sigurisë.
“Dhoma e mbrojtur dhe hapësira e punës ishin projektuar me përpikëri për të përmbushur dhe tejkaluar kërkesat strikte të sigurisë të vendosura nga NATO dhe Bashkimi Evropian. Kjo përfshinte integrimin e masave teknologjike të avancuara, kurse hapësira fizike është ndërtuar me materiale që parandalojnë monitorimin dhe përgjimin e paautorizuar, duke siguruar që komunikimet të mbeten konfidenciale dhe të mbrojtura nga kërcënimet e jashtme. Projekti inkorporoi praktikat më të mira në menaxhimin e sektorit të sigurisë, duke theksuar qëndrueshmërinë ndaj sfidave tradicionale dhe atyre të reja të sigurisë. Kjo qasje gjithëpërfshirëse siguron jo vetëm një zgjidhje të sigurt, por edhe përshtatshmëri ndaj përparimeve të ardhshme në mbikëqyrjen mbi sigurinë dhe inteligjencën, informuan nga Kuvendi për MIA-n.
Autoritet i autorizuar për akreditimin e dhomës së mbrojtur është Drejtoria për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar. Dokumentet e nevojshme për akreditimin e dhomës së mbrojtur janë: Vlerësimi i rrezikut të sigurisë për sistemin për komunikim dhe informatik në dhomën e mbrojtur dhe hapësirën e mbrojtur të punës, Deklarata për nevoja të sigurisë për sistemin e informacionit të komunikimit në dhomën e mbrojtur dhe hapësirën e mbrojtur të punës dhe Procedurat operative të sigurisë për përdorimin e dhomës së mbrojtur dhe hapësirës së mbrojtur të punës. Kuvendi vëren se të gjitha dokumentet janë në fazën përfundimtare dhe ato pas nënshkrimit duhet t’i kalojnë Drejtorisë për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar. Në bazë të mbikëqyrjes së dokumenteve dhe dosjeve si dhe kontrollit në terren në dhomën e mbrojtur nga DSIK merret akreditimi për përdorim.
Projekti për “dhomën e shurdhër” sipas standardeve të NATO-s
Për realizimin e të ashtuquajturës “dhomë të shurdhër” në Kuvend kishte gjashtë thirrje. Shumica nuk rezultuan të suksesshme për shkak të, siç sqaroi ish-kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ofertave të papërshtatshme.
Thirrja e fundit publike ishte e suksesshme dhe dhoma e e mbrojtur filloi me ndërtim, sipas informacioneve nga DCAF, në korrik 2023.
Në bazë të Marrëveshjes për Prokurim Publik të datës 28.04.2023, në thirrjen e fundit për punime ndërtimore është zgjedhur Fabrika Karposh, ndërsa në kontratë parashihet që punimet ndërtimore të kushtojnë rreth 40.000.000 denarë. Për momentin nga Kuvendi nuk ka informacione për koston totale të ndërtimit, pajisjes dhe realizimit të dhomës së mbrojtur.
Nga aty theksojnë se dokumentacioni i tenderit dhe projekti janë sipas standardeve të NATO-s. Dhoma është e mbrojtjes më të lartë, e ashtuquajtura shkalla e parë e dokumenteve me klasifikimin më të lartë, plotëson të gjitha standardet e mbrojtjes audio dhe kundër rrezatimit, është e pajisur me pajisje të përshtatshme të mbrojtura për të garantuar mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, theksojnë nga Kuvendi. Pajisjet në dhomë plotësojnë standardet më të larta TEMPEST të mbrojtjes nga rrezatimi.
Hapësira pritet të përdoret kryesisht nga Kuvendi dhe Komisionet që punojnë me informacionet e klasifikuara, por në të njëjtën kohë do të jetë në dispozicion për përdorim nga autoritetet e tjera shtetërore nëse do të kenë nevojë dhe sigurisht me miratimin e Kuvendit.
Krijimi i dhomës së mbrojtur dhe hapësirës së mbrojtur të punës në Kuvend shënon një moment historik të rëndësishëm në përkushtimin për të forcuar mbikëqyrjen parlamentare të sektorit të sigurisë dhe inteligjencës. Kjo iniciativë është fryt i një partneriteti strategjik midis Qendrës së Gjenevës për Menaxhimin e Sektorit të Sigurisë, DCAF dhe Kuvendit epërkthyer në një Memorandum Bashkëpunimi, i cili thekson përpjekjet e përbashkëta për të forcuar qeverisjen demokratike dhe për të siguruar mekanizma të fuqishëm të llogaridhënies brenda kornizës së sigurisë së vendit.
Republika e Maqedonisë së Veriut, në përpjekje për t’u integruar më ngushtë me institucionet perëndimore si NATO dhe Bashkimi Evropian, siç thuhet në informacionin e Kuvendit për MIA-n ka identifikuar forcimin e mbikëqyrjes parlamentare si gur themel për përmbushjen e standardeve strikte të qeverisjes që kërkojnë këto organizata. Në vitin 2018, duke njohur peizazhin në zhvillim të kërcënimit të sigurisë dhe nevojën kritike për mbikëqyrje transparente, DCAF dhe Kuvendi nisën një mision të përbashkët për të forcuar kapacitetin e degës legjislative për të monitoruar dhe vlerësuar në mënyrë efektive aktivitetet e agjencive të sigurisë dhe inteligjencës. Kjo periudhë u shënua me shqetësim global në rritje për praktikat e vëzhgimit, operacionet e inteligjencës dhe imperativit për të balancuar sigurinë kombëtare me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave civile.
Qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi, siç theksohet, ishte krijimi i një mjedisi të sigurt ku informacionet e klasifikuara me ndjeshmëri më të lartë mund të trajtohej me konfidencialitetin dhe integritetin më të lartë.
“Me formimin e një hapësirë të veçantë të mbrojtur dhe hapësirë pune, Kuvendi synoi të lehtësonte seanca të sigurta me informacione të klasifikuare, duke i lejuar ligjvënësve të shqyrtojnë, diskutojnë dhe debatojnë çështje kritike të sigurisë dhe inteligjencës pa rrezikun e rrjedhjes së informacionit ose aksesit të paautorizuar. Kjo infrastrukturë është krijuar për të mbështetur proceset e vendimmarrjes së informuar, duke siguruar që funksionet e mbikëqyrjes të kryhen me diskrecionin dhe sigurinë e nevojshme”, thuhet në informacionin e Kuvendit për MIA-n.
Deri në fund të tetorit pritet të funksionojë “dhoma e shurdhër” në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut appeared first on Telegrafi.