Deri në fund të muajit nëntor pritet të miratohen pesë propozim/ligjet për fushën e arsimit. Tre prej tyre janë për Arsimin e Mesëm si dhe ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Arsim Fillor dhe Ligjit për Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve. Ministrja, Vesna Janevska tha se të premten në ENER do të vendosen versionet finale të këtyre ligjeve duke shtuar se janë përfshirë disa nga vërejtjet dhe propozimet e dhëna ndërsa ligjet ishin të hapura për debat publik.
“Kemi pasur kryesisht komente dhe kërkesa, shumica e të cilave ishin të përmbajtura, por disa i kemi theksuar, si përfshirja e nxënësve me nevoja të veçanta. Në ligjin për arsimin e mesëm nuk ishte parashikuar fare asistencë arsimore dhe tani parashikojmë mënyrën e regjistrimit të këtyre fëmijëve, organizimin e ndihmës që do të marrin, kemi futur koordinatorët, si dhe mësuesit, d.m.th. profesionist të cilët në mënyrë profesionale do t’i udhëheqin fëmijët. Në përgjithësi kemi rregulluar arsimin dual, kemi përcaktuar detyrimet e shkollave dhe përfshirjen e kompanive”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Në përfundimin e projektit për rritjen e atraktivitetit, rëndësisë dhe gjithë përfshirjes së arsimit profesional dhe arsimit të të rriturve u tha se vendi mund të mburret me shkolla të mesme profesionale të plota në të cilat tashmë ndjekin mësimin më shumë se 70 % e numrit të përgjithshëm të nxënësve.
“Në zbatimin tre vjeçar të projektit u arritën shumë rezultate, mes tyre themelimi i dy qendrave rajonale për arsim të mesëm profesional dhe trajnim, në rajonin e Vardarit dhe atë juglindor. Projekti ka përgatitur dokumente shumë të rëndësishme të cilat i ndihmojnë vendit të harmonizojë sistemin e tij me sistemin e Bashkimit Evropian për të siguruar kualitet në arsimin profesional dhe praktikën”, tha Ludmil Kovaçev, udhëheqës i ekipit.
Projekti u realizua tre vjet rresht ndërsa u mbështet nga Bashkimi Evropian. Sipas Janevskës, edhe pse projekti po përfundon, bashkëpunimi me ekspertët e kësaj fushe do të vazhdojë. Janevska shtoi se Maqedonia akoma ka obligime për të cilat pritet ndihmë, siç janë ato nga Plani i BE-së për rritje për Ballkanin Perëndimor, ku theksohet qartë rëndësia e arsimit”. /Alsat/
Deri në fund të muajit nëntor pritet të miratohen pesë propozim ligjet për fushën e arsimit appeared first on Telegrafi.