Denis Gafuri është i ftuari i radhës në emisionin “PodGo” me të cilin kemi diskutuar për tema të ndryshme, si ajo e profesionit të shitjes, të rinjtë, marrëdhëniet në mes punëtorëve dhe punëdhënësve, si dhe ekonomia në vend.
Ai tha se ekonomia në Maqedoni ka stagnuar në krahasim me periudhën e kaluar, duke thënë se vendi është futur në zonën e komfortit. Gafuri bëri thirrje që çdo njëri që dëshiron të zhvillohet të del nga zona e rehatisë dhe të mësojë gjëra të reja.
“Ekonomia në krahasim se si ka qenë përpara ka stagnuar, Maqedonia ka qenë me e avancuar se Kosova dhe Shqipëria, por tani mendoj se ka ngelur në një zonë komfori, e cila është e dëmshme. Zona e rehatisë ka shkatërruar perandori, shtete dhe individë të fuqishëm. Duhet të mundohemi të dalim nga ajo dhe të vazhdojmë të rritemi”, tha Gafuri.
Sa i përket profesionit të shitjes, ai tha se “shitja është gjithçka”, duke përmendur shembuj nga më të ndryshëm.
“Shitja është aftësi që mësohet dhe përmirësohet, pasi ka gjëra të reja. Çdo herë duhet të jemi në përmirësim të vazhdueshëm. Për të shitur është e rëndësishëm të besosh dhe ta transmetosh atë energji te klienti yt. Duhet të jesh shitës i mirë edhe në familjen tënde, në marrëdhëniet me fëmijët, me gruan dhe me të gjithë”.
Folëm edhe për arsimimin si dhe diplomën, ndërsa ai tha se çështja e arsimimit është keqkuptuar nga shumë individë.
“Pjesa e fakultetit është keqkuptuar, njerëzit te ne sapo e përfundojnë fakultetin e vazhdojnë masterin. Nuk mund ta kuptoj se si e vazhdojnë magjistraturën pa asnjë ditë përvojë pune. Master do të thotë që ti të jesh i perfeksionuar në punën tënde dhe nuk mund ta kuptoj se si e vazhdojnë masterin pa asnjë ditë përvojë pune. Njerëzit kompleksohen për shkak të diplomës, thonë se kanë diploma dhe se askush nuk i vlerëson”, tha Gafuri.
Ndërsa në lidhje me marrëdhëniet në mes punëtorëve dhe punëdhënësve, ai tha se udhëheqësit e kompanive duhet të përshtaten me kushtet e reja.
“Mendoj që ka dembela nëpër kompani. Kjo punë është problem në familje. Nëse nuk kemi edukatë në familje për punën, kemi me pas probleme. Fëmijët i sakatojnë prindërit e vet. Fëmijët duhet t’i mësojmë të jenë shembull për të gjithë. E jo t’i edukojmë ata që të mos punojnë. Duhet që familjet ta ndryshojnë perceptimin për punën. Mendoj që njerëzit sot punojnë sipërfaqësisht”.
“Udhëheqësit e kompanive duhet të përshtaten me kushtet e reja. Kur mbaj trajnim të të rinjve ka shumë prej tyre që më thonë se nuk është e rëndësishme paga sa është e rëndësishme trajtimi. Prandaj nëse udhëheqësit ia thyejnë moralin të riut ai nuk do të ecë përpara. Duhet ta bëjmë që punëtorët ta ndjejnë si të veten kompaninë. Udhëheqësit e bëjnë një gabim që nëse iu japin kompliment është nëse i vlerësojnë punëtorët mendojnë se atyre do t’u rritet mendja dhe do ta lënë punën”, tha Gafuri mes tjerash./Telegrafi/
Denis Gafuri në “PodGo”: Zona e rehatisë ka shkatërruar perandori dhe shtete, duhet të përmirësohemi çdo ditë appeared first on Telegrafi.