Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, ka folur në lidhje me qëndrimin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, për shkarkimet e drejtorëve mjekësorë të Klinikës së Kardiokirurgjisë dhe Klinikës së Toksikologjisë. Demiri tha se shkarkimin e drejtorëve e ka bërë për shkak të lëshimeve në puna.
“Ish-drejtori mjekësor i Klinikës së Kardiokirurgjisë është shkarkuar nga detyra e drejtorit mjekësor për shkak të shkeljes së normave ligjore. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut kanë operuar mjekë nga Serbia të cilët nuk kanë pasur licencën përkatëse dhe një sërë shkeljesh të tjera. Të gjitha të dhënat që i kemi i kemi raportuar në Prokurorinë Publike për ta hetuar këtë rast”.
“Drejtori i mëparshëm mjekësor nga Klinika e Toksikologjisë dhe një nga mjekët janë shkarkuar për keqpërdorim gjatë gjithë periudhës së kaluar. Klinika ka pasur pëlqim për vazhdimin e kontratave të punës 18 personave, por ai nuk ka vepruar. Prej disa muajsh këta persona shkonin në punë dhe nuk paguheshin për punën e tyre”.
“Punonjësit kanë pësuar kërcënime dhe ofendime në shkallë kombëtare, për të cilat kanë dorëzuar një shkresë me deklarata për fyerjet e përditshme nga drejtori dhe mjeku. Presim që prokuroria publike të veprojë edhe për këtë rast. Dëshiroj të informoj Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit se përgjegjësi e ministrit është siguria e pacientëve dhe siguria e të gjithë punëtorëve në shëndetin publik”, tha Demiri.
Demiri për vendimin e Anti-korrupsionit: Drejtorët e shkarkuar kanë bërë shkelje ligjore appeared first on Telegrafi.