Në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, deputeti zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe të lira me votim të fshehtë për një mandat 4-vjeçar. Në zgjedhjet parlamentare zgjidhen 120-123 deputetë, ndërsa sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Parlamentin mund ta përbëjnë nga 120 deri në 140 deputetë. Deputetët zgjidhen sipas modelit zgjedhor proporcional me lista të mbyllura të deputetëve, me ç’rast në secilën nga gjashtë njësitë zgjedhore, sipas të cilave është bërë ndarja e territorit të shtetit, zgjidhen nga 20 deputetë, shkruan gazeta “Koha”.
Me ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor të shkurtit 2020, u bë ristrukturimi i njësive zgjedhore, ku dy komuna (Dibër dhe Mavrovë-Rostushë) kanë kaluar nga njësia zgjedhore e gjashtë në atë të pestë, ndërkohë që Zajazi dhe Osllomeja nga njësia zgjedhore pesë në të gjashtën. Numri i zgjedhësve në territorin e shtetit mund të lëvizë më së shumti në kuadër të margjinës -/+5% në raport me numrin mesatar të zgjedhësve në njësitë zgjedhore. Shpërndarja e mandateve bëhet sipas formulës së D’Hondt-it, me ç’rast rezultatet përcaktohen për secilën njësi zgjedhore veç e veç, sipas numrit të votave të përgjithshme që i kanë fituar listat e kandidatëve.
Secila nga partitë fiton vende të deputetëve proporcionalisht me numrin e votave që i kanë fituar për listën e tyre të kandidatëve, në krahasim me numrin e votave të listave të tjera të kandidatëve. Nëse gjatë ndarjes së vendit të fundit për deputet paraqiten dy lista me rezultate identike, atëherë vendi u ndahet me short.
Gjatë shpërndarjes së vendeve të deputetëve, konsiderohen për të zgjedhur aq kandidatë sa vende ka fituar lista. Së këtejmi, mandate fitojnë kandidatët në bazë të radhitjes, sipas së cilës janë përcaktuar në listat e kandidatëve. Votimi jashtë vendit mund të bëhet vetëm nëse numri i votuesve të regjistruar korrespondon me numrin më të vogël të votave me të cilat një deputet fitoi një mandat në zgjedhjet e mëparshme parlamentare. Sipas rezultateve të zgjedhjeve të fundit parlamentare, ky numër është 6700 vota. Meqenëse numri i aplikimeve të vlefshme të paraqitura është më pak se minimumi ligjor, votimi në misionet diplomatike dhe konsullore dhe zyrat konsullore të shtetit jashtë vendit nuk do të zhvillohet në këto zgjedhje parlamentare. Në këtë mënyrë, votuesit që janë regjistruar të votojnë jashtë vendit dhe plotësojnë kërkesat ligjore, do të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në vendvotimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas adresës së tyre të vendbanimit, raporton KOHA.
Zgjedhjet për deputetë mbahen çdo vit të katërt në 90 ditët e fundit të mandatit të përbërjes së mëparshme parlamentare, ose brenda 60 ditëve nga dita e shpërbërjes së Parlamentit. Në zgjedhjet e parakohshme, të gjitha afatet për aktivitetet zgjedhore janë shkurtuar për pesë ditë, përveç afatit të përcaktuar për zhvillimin e fushatës zgjedhore.
Një deputeti mund t’i pushoj mandati para skadimit të kohës për të cilën është zgjedhur, nëse paraqet dorëheqje, nëse është dënuar për vepër penale për të cilën është caktuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej më së paku pesë vitesh, nëse paraqitet rast që nuk është në pajtim me funksionin deputet, në rast të vdekjes dhe nëse me aktvendim të plotfuqishëm i hiqet aftësia e punës. Nëse deputeti paraqet dorëheqje, Parlamenti në seancën e parë të radhës konstaton se deputetit i pushon mandati nga dita e mbajtjes së seancës. Nëse deputetit të zgjedhur nga lista e kandidatëve i pushon mandati, sipas njërës nga këto baza, atëherë për pjesën tjetër të mandatit, në vend të tij vjen kandidati i radhës nga lista zgjedhore e partisë, në të cilën është zgjedhur deputeti.
Përjashtim nga ky rregull bëhet nëse mandati i pushon deputetes. Në rast të këtillë, në vendin e saj, do të vijë kandidatja e radhës nga lista. Përbërja e re e deputetëve në Parlament konstituohet në seancën e parë e cila mbahet më së voni 20 ditë pas ditës së zgjedhjeve, ndërsa të njëjtën e thërret kryetari në largim.
Nëse Parlamenti nuk konstituohet në këto 20 ditë, atëherë deputetët mblidhen vet dhe e konstituojnë Parlamentin në ditën e njëzetenjë nga dita e përfundimit të zgjedhjeve në ora 10, ndërsa seancën duhet ta thërras deputeti i zgjedhur më në moshë sipas viteve.
Nëse ai refuzon ta thërras, kjo e drejtë i bartet sipas radhës deputetit të zgjedhur të ardhshëm sipas viteve të tij të moshës, kështu deri te deputeti i zgjedhur i cili do të pajtohet ta thërras seancën e parë në të cilën do të konstituohet Parlamenti. Në afat prej më së dhjetë ditësh pas konstituimit të përbërjes së re të Parlamentit, Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut e ka për detyrë t’ia besoj mandatin për formimin e Qeverisë së re kandidatit (mandatar) nga partia ose partitë të cilat kanë shumicë të deputetëve. Mandatari, në afat prej 20 ditësh nga dita e besimit të mandatit, Parlamentit i paraqet program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Pastaj deputetët me shumicë të votave nga numri i përgjithshëm të deputetëve e zgjedhin Qeverinë./Koha.mk/
Çfarë parasheh Formula e D’Hondt-it dhe si shpërndahen deputetët? appeared first on Telegrafi.