“Në kohën kur Shkupi është një nga qytetet më të ndotura në botë, qytetarët tanë përballen me një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën nga ajri që thithin çdo ditë. Kjo ndotje e pamëshirshme po i vret qytetarët në heshtje, duke e kthyer çdo frymëmarrje në helm për shëndetin e tyre”, thuhet në një komunikatë të BDI-së.
“Ndërsa spitalet po mbushen me qytetarë që ankohen për vështirësi në frymëmarrje dhe probleme shëndetësore që lidhen me ndotjen, ministri i paligjshëm i mjedisit vazhdon të ndjekë interesat e tij private në biznesin e kazinove dhe shumë të tjera. Ky ministër i zgjedhur jo nga qytetarët përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike, por në mbledhjet e OBRM-PDUKM-së, është simbol i një pushteti të papërgjegjshëm që nuk kujdeset për mirëqenien e qytetarëve, por për interesat personale të një grup i ngushtë.
Sikur të mos mjaftonte që fëmijët tanë po humbasin jetën nëpër klinika nga keqmenaxhimi, ndërsa kostoja e jetesës po rritet në nivele të padurueshme për shumë familje, tashmë çdo frymë e qytetarëve është një akt që rrezikon shëndetin dhe jetën e tyre. E gjithë kjo po ndodh sepse kjo qeveri ka dështuar vazhdimisht në marrjen e masave efektive kundër ndotjes, sigurimin e ajrit të pastër dhe mbrojtjen e mjedisit.
Faktet janë të qarta: një qeveri që nuk arrin të mbrojë të drejtën e qytetarëve për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm nuk mund të konsiderohet as legjitime dhe as kompetente. Ndërsa qytetarët vuajnë pasojat e ndotjes, duke paguar çmimin më të lartë – shëndetin dhe jetën e tyre – kjo qeveri mbetet indiferente, duke injoruar thirrjet urgjente për veprim.
BDI bën thirrje për masa urgjente dhe të shpejta nga organet kompetente për përballimin e kësaj krize shëndetësore dhe mjedisore. Qytetarët e vendit meritojnë ajër të pastër, mbrojtje nga ndotja dhe një qeveri që i mbron dhe kujdeset për ta, jo një qeveri që i lë në mëshirë të rrethanave”, thonë nga BDI.
BDI: Shkupi po ngulfatet nga ndotja, teksa kjo qeveri po injoron thirrjet urgjente për veprim appeared first on Telegrafi.