Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh mosbesim dhe shqetësim të thellë për vendimin e qeverisë me legjitimitet njëetnik, për të ndryshuar formulën “balancues” që përcakton përfaqësimin e drejtë të të gjitha komuniteteve etnike para se ta zhbëjnë atë tërësisht, thuhet në kumtesën e sotme të BDI-së.
“Duke injoruar të dhënat e regjistrimit të fundit që tregojnë se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë, kjo qeveri ka vendosur të rikthejë përqindjen nën 25%, bazuar në të dhënat e regjistrimit të 20 viteve më parë.
Ky veprim përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj parimit të përfaqësimit të drejte, një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit.
Ndërkohë, humbësit e zgjedhjeve dhe partnerët e Stoilkoviqit, të kapur dhe të pafuqishëm, vëzhgojnë në heshtje por edhe aktivisht kontribuojnë në degradimin e përditshëm të pozitës së shqiptarëve.
Kjo është pasojë e qartë e faktit se ata nuk janë përfaqësuesit e votuar të komunitetit shqiptar, por partneri i preferuar i OBRM-PDUKM-së, duke vënë në plan të parë pozitat, edhe pse kanë marrë vetëm thërrime nga institucionet e zhveshura nga kompetencat”, thonë nga BDI.
Nga atje shtojnë se BDI është i vendosur të mbrojë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe barabartë të të gjitha komuniteteve etnike dhe nuk do të lejojë asnjë përpjekje për të cenuar arritjet e rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit./Telegrafi/
BDI: Qeveria monoetnike po zhbën Marrëveshjen e Ohrit, zbret përfaqësimin e drejtë nga 29.5% në 25% appeared first on Telegrafi.