
Kaluan shtatë ditë dhimbjeje, heshtjeje dhe solidariteti ditë kur e gjithë shoqëria iu përkul kujtimit të 59 jetëve të reja që u shuan në mënyrë tragjike, mes tyre edhe fëmijë, ndërsa qindra të tjerë mbetën të lënduar, thuhet në reagimin e BDI-së.
Nga athe thonë se për shkak të respektit kanë heshtur deri më tani.
“Që në momentin e parë të tragjedisë, ndërsa zjarri ende nuk ishte shuar, ndërsa qytetarët në shok kërkonin përgjigje dhe shpresë, pamë se si krerët e pushtetit në vend që të tregojnë dhembshuri nisën një ndjekje politike.
Në vend të informimit, dolën me akuza. Në vend të qetësisë, me kërcënime. Gishtin e drejtuan te tjetri, te e kaluara, te ata që nuk janë pjesë e tyre.
Pa pritur faktet, ata aktivizuan makinën e propagandës për zhvendosjen e fajit.
U ndërtua një narativ sipas cilës licenca e dhënë vite më parë e ka fajin dhe u bë bazë për arrestimin e një ish-ministri – me pranga, kamera dhe ballina gazetash.
Edhe pse të gjithë e dinë se licencat nuk janë të përhershme, nuk vazhdojnë automatikisht, të gjithë e dinë se kanë kaluar vite që kur kanë skaduar, dhe madje edhe ajo konkrete e falsifikuara kishte përfunduar tre ditë para tragjedisë.
Të gjithë e dinë se objekti ishte mbyllur nga Drejtoria e të Ardhurave Publike disa muaj më parë, dhe shumë shpejt më pas ishte rihapur në mënyrë të paligjshme.
Të gjithë e dinë se në objekt rregullisht kishte numër të tejkaluar vizitorësh, dhe se atë natë kishte mbi 650 persona në një hapësirë me kapacitet prej 300 vetash.
Të gjithë e dinë se objekti frekuentohej rregullisht nga të mitur, ashtu si edhe natën fatale, madje deri në orën 3 të mëngjesit.
Të gjithë e dinë se në ato mbrëmje përdorej rregullisht piroteknikë, dhe të gjithë e kishin të qartë se kjo bëhej pa leje nga policia, ashtu siç ishte përdorur piroteknika edhe natën e tragjedisë.
Dhe më e rëndësishmja, të gjitha institucionet lokale, nga policia te inspektoratet, e kishin ditur këtë, e kishin parë, por nuk kishin guxuar të reagojnë”, thonë nga BDI.
Nga atje shtojnë se nga kryetarë komunash, deputetë dhe kryetarë degësh të partive, e deri te inspektorë, komandantë dhe funksionarë, të gjithë ishin mysafirë të rregullt, në lidhje të ngushta me pronarin dhe ekipin e tij, të gjithë e kishin të qartë se pas këtij objekti qëndronin njerëz të fuqishëm që e mbronin, dhe për këtë arsye askush nuk duhej të bëjë pyetje./Telegrafi/
BDI: Kryetarë komunash, deputetë, inspektorë dhe funksionarë ishin mysafir të rregullt në diskotekën që u djeg në Koçan appeared first on Telegrafi.