BDI dënon sjelljen e papërgjegjshme të Kryeministrit me legjitimitet njëetnik, i cili, në mënyrë të përsëritur, po keqpërdor pozitën e tij shtetërore për të kërcënuar politikanët e opozitës, thuhet në kumtesën e sotme të BDI-së.

Ky veprim, siç thonë ata, nuk është asgjë më shumë se një abuzim i hapur i pushtetit, një përpjekje për të krijuar perceptime të gabuara në opinionin publik dhe për të kufizuar hapësirën e opozitës për të vepruar.

“Për më tepër, këto veprime ushtrojnë ndikim dhe presion të papranueshëm mbi institucionet e pavarura të drejtësisë.

Kryeministri nuk është prokuror, as nuk ka të drejtë të abuzojë pozitën e tij për qëllime të luftës politike.

Këto kërcënime të vazhdueshme janë të paligjshme dhe tregojnë një arrogancë që është shenjë e pasigurisë së tij.

Qeverisja e bazuar në frikë dhe manipulim nuk mund të jetë një standard në demokracinë tonë.

Nëse Kryeministri do të ishte vërtet i sinqertë në luftën kundër korrupsionit, ai do të pranonte thirrjen tonë për një proces vetingu të pavarur dhe ndërkombëtarisht të ndërmjetësuar, që të përfshijë të gjitha partitë dhe politikanët, përfshirë vetë atë.

Vetëm një proces i tillë transparent dhe gjithëpërfshirës do t’i shërbente demokracisë dhe ndërtimit të një klime politike të besueshme për qytetarët tanë.

I bëjmë thirrje Kryeministrit të ndalojë menjëherë këto praktika të dëmshme, të ruajë dinjitetin e pozitës së tij dhe të respektojë ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e institucioneve.

Demokracia nënkupton respektim të ligjit, transparencë dhe një garë politike të ndershme, ku çdo palë mund të veprojë e pandikuar nga kërcënimet dhe presionet e pushtetit ekzekutiv”, thonë nga BDI.

BDI, shtojnë nga atje, mbetet e angazhuar për mbrojtjen e këtyre parimeve dhe do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm kundër çdo përpjekjeje për të abuzuar pushtetin dhe për të cenuar institucionet e pavarura të vendit./Telegrafi/

BDI: Kryeministri pa legjitimitet etnik, të ndalon abuzimin e pushtetit për presion politik appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version