Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një komunikate njofton se Ministrisë së Mjedisit të udhëhequr nga Izet Mexhiti, i janë marrë kompetencat, pasi inspektorati ka konstatuar keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e Mexhitit dhe kabinetit të tij.

Siç thonë nga BDI, tashmë ajo ministri është vendosur nën kontrollin e OBRM-PDUKM-së.

BDI thotë se kjo gjendje në ministri erdhi si pasojë e ryshfetit dhe korrupsionit shtetëror.

Reagimi i plotë:

IZET MEXHITI ZHVISHET NGA KOMPETENCAT NË MINISTRINË E MJEDISIT PAS AKUZAVE PËR KORRUPSION DHE SHANTAZH

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) denoncon skandalin e rëndë që po ndodh në Ministrinë e Mjedisit, ku pas një kontrolli nga Inspektorati për Administratë, është vërtetuar keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga ana e ministrit Izet Mexhiti dhe stafit të tij në kabinet.

Në bazë të vendimit të Inspektoratit Administrativ me numër 11-1653/2024, të datës 17.01.2025, Izet Mexhiti është zhveshur nga të gjitha kompetencat e tij, të cilat janë transferuar në Drejtorinë e Mjedisit.

Ky institucion, që deri në mandatin e BDI-së udhëhiqej nga një kuadër shqiptar, tani është vënë nën kontrollin e një drejtori të emëruar nga OBRM-PDUKM-së.

Me këtë vendim, Drejtori i ri është urdhëruar që të mos dërgojë për nënshkrim në kabinetin e Mexhitit asnjë dokument nga sektorët kryesorë të ministrisë, përfshirë Sektorin e Natyrës, Ujërave, Mbeturinave, Mjedisit dhe Ndotjes Industriale. Këta sektorë përbëjnë mbi 70% të kompetencave të Ministrisë së Mjedisit, duke e bërë këtë akt një zhvillim të paprecedentë.

Ky veprim ka ardhur si pasojë e ankesave dhe denoncimeve të shumta nga qytetarë dhe kompani, të cilët janë kushtëzuar nga kabineti i Mexhitit për të dhënë ryshfet në këmbim të shërbimeve administrative. Kjo është dëshmia më e qartë e kapjes së institucioneve nga korrupsioni dhe paaftësia e qeverisë aktuale për të garantuar një administratë të pastër dhe funksionale.

BDI dënon ashpër këtë situatë dhe i bën thirrje organeve të drejtësisë që të nisin menjëherë hetimet për përgjegjësit, si dhe të sigurojnë që qytetarët dhe bizneset të mos jenë më viktima të shantazhit dhe korrupsionit shtetëror.

BDI do të vazhdojë të jetë zëri i qytetarëve dhe të denoncojë çdo përpjekje për keqpërdorim të pushtetit nga zyrtarët e paaftë dhe të korruptuar.

BDI: Izet Mexhitit i janë marrë kompetencat në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version