Rreth 600 banorë të objektit, bodrumi i të cilit u përfshi nga zjarri në Çair të Shkupit, edhe pas 21 ditësh vazhdojnë të presin përgjigje se kur do të mund të hyjnë në banesat e tyre.

Banorët akomodohen përkohësisht në banesat e familjarëve të tyre ose në hotele në Shkup. Forcat e policisë qëndrojnë në hyrje të godinës dhe nuk lejojnë banorët të futen brenda, pasi ende po vazhdojnë hetimet, ndërsa sipas prokurorisë ende nuk ka detaje se çfarë e shkaktoi zjarrin në këtë objekt.

Sipas prokurorisë, hetimet janë kryer dje në bodrumin e këtij pallati, ku dyshohet se ka shpërthyer zjarri, por ende nuk ka detaje për shkaqet e zjarrit, i cili la mbi 600 banorë të këtij pallati në rrugë.

“Po kontrollojnë zonat e bodrumit ku sipas dyshimeve fillestare ka rënë zjarri. Për shkaqet e zjarrit do t’ju informojmë me detaje pas përfundimit të të gjitha hetimeve”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike Shkup.

Për një kthim të plotë në shtëpitë e tyre, ende pritet raporti përfundimtar nëse ndërtesa është e sigurt për të jetuar apo jo. Zjarri i datës 2 tetor në orën 01:50 ka përfshirë bodrumin e këtij pallati, ndërsa banorët janë evakuuar me ndihmën e zjarrfikësve. Disa prej tyre u helmuan nga tymi dhe përfunduan në spital./Telegrafi/

Banorët e ndërtesës që u përfshi nga zjarri në Çair ende nuk janë kthyer në banesat e tyre appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version