Mbi 1200 banorë të fshatit Grushinë të Komunës së Haraçinës tashmë 10 ditë kanë mbetur pa ujë të pijshëm. Banorët akuzojnë drejtuesit e komunës se dëshirojnë të marrin nën menaxhim ujësjellësin e fshatit, që sipas tyre, para disa dekadash është ndërtuar me investim të vet banorëve. Të revoltuar, banorët thonë se pompa e ujit në Grushinë që punon me energji elektrike tashmë i është transferuar ndërmarrjes publike komunale “Ambienti” për të cilin nuk pajtohen banorët e fshatit.

“Ne e kemi qe 50 vjet këtë ujësjellësin këtu, vet e me kontributin tonë e kemi bë”, tha një qytetar.

Në mungesë të ujit, banorët detyrohen të blejnë ujë për pije ndërsa për nevojat e tjera mbushin në çezmat e fshatit. Mungesa e ujit tashmë po shkakton probleme edhe në shkollën e fshatit. Nxënësit thonë se po kundërmon erë e rëndë.

“Klasa e tretë jam, dy javë nuk ka ujë, era shumë po vjen tualet, as në shtëpi nuk kemi ujë. Po marim faculeta të lagura prej në shtëpi”, u shpreh një nxënëse.

“Hiç s’ka edhe era çdo ditë vjen në shkollë. Edhe për në shtëpi çdo ditë unë mbushi ujë. Ndonjëherë na thonë mësuesit nëse keni nevojë për tualet shkoni në shtëpi”, shtoi një nxënës.

Nga Komuna e Haraçinës thanë se janë në koordinim me këshilltarët komunalë nga fshati Grushinë për zgjidhjen e kësaj çështje. Sipas komunës, zgjidhja qëndron në duart e vet banorëve nëse do të kenë një qëndrim përfundimtar se kush do ta menaxhoj ujësjellësin dhe shpenzimet e rrymës për funksionimin e pompës së ujit. Nga komuna pranuan se në Grushinë ekziston një rrjet ujësjellësi i ndërtuar dhe menaxhuar nga vet banorët mirëpo deri tani rryma e harxhuar i është faturuar ndërmarrjes komunale “Ambienti” e cila për shkak të shpenzimeve të larta nuk ka arritur të shlyej borxhet ndaj EVN-së që ka rezultuar me ndërprerje të rrymës. /Alsat.mk

Banorët e Grushinës 10 ditë s’kanë ujë appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version