Aleanca për Shqiptarët, në një deklaratë të fundit, ka shprehur shqetësimin e thellë për ndarjen e resorëve në qeverinë e re të paralajmëruar nga OBRM-PDUKM dhe Vlen. Sipas ASH-së, udhëhequr nga Ziadin Sela, vetëm katër nga nëntëmbëdhjetë ministri do të jenë nën drejtimin e shqiptarëve. Kjo paraqet një reduktim të ndjeshëm të përfaqësimit shqiptar në qeveri, krahasuar me strukturat e mëparshme qeveritare ku shqiptarët kanë drejtuar një numër më të madh ministri, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Përgjatë këtyre tre dekadave shqiptarët në RMV kanë drejtuar më së paku 5 nga 15 resore ministrore, gjegjësisht 6 nga 15 ministri dhe së fundi 8 resore nga 16 (pa përmendur këtu ministrat pa portofol/zëvendëskryeministrat apo edhe ato në detyrë). Ndodh që për herë të parë shqiptarët të drejtojnë vetëm 4 resore ministrore në Qeverinë e paralajmëruar nga OBRM-PDUKM dhe VLEN, dhe atë 4 nga 16 resore. Biles, edhe më keq, do bëjnë ndryshime ligjore që të bëhen 4 nga 19, e që do të jetë ekzekutimi politiko-institucional i shqiptarëve të RMV-së”, thuhet në njoftimin e tyre.

Më tej, ASH-krahu i Selës thekson mungesën e resorëve të rëndësishëm si Ministria për Integrim dhe Ministria për Qeverisje të Mirë, duke sugjeruar një mosprioritizim të çështjeve që lidhen ngushtë me integrimin evropian dhe transparencën në qeverisje. Sipas deklaratës, dy nga ministrat shqiptarë pa resor do të kenë në dispozicion vetëm nga pesë punonjës, duke përfshirë një shofer dhe një fotograf, gjë që sinjalizon një ulje të kapacitetit operativ dhe ndikimit të tyre në qeveri. /Telegrafi/

ASH-krahu i Selës kritikon strukturën e re të qeverisë për përfaqësimin e ulët të shqiptarëve appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version