Në gjendje të qëndrueshme janë të shtatë të lënduarit nga zjarri në diskotekën në Koçan, të cilët dje janë transportuar për trajtim në Spanjë, thonë nga Ambasada e Mbretërisë së Spanjës në vend.
“Pacientët kanë mbërritur dje, janë kryer kontrollet mjekësore fillestare, janë në gjendje të qëndrueshmedhe tashmë ka filluar procesi i trajtimit dhe shërimit në spitalet e lartpërmendura”, theksojnë nga Ambasada.
Në të njëjtën kohë, Ambasada ndan informacionin se mbreti i Spanjës, Felipe VI, i ka dërguar telegram ngushëllimi presidentes Gordana Siljnovska-Davkova me rastin e tragjedisë në Koçan.
“Me pikëllim të thellë mësova për ngjarjen tragjike që ndodhi si pasojë e zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan, gjatë një koncerti, ku humbën jetën të paktën 59 persona dhe dhjetëra të tjerë u lënduan. Në emrin tim personal, në emër të Qeverisë dhe popullit spanjoll, shpreh ngushëllimet e mia më të thella dhe shpreh solidaritetin tim të plotë me popullin e Maqedonisë së Veriut. Së bashku me Mbretëreshën, ne dërgojmë mbështetjen tonë të sinqertë për familjet e të vdekurve dhe urimet më të mira për shërim të shpejtë për të lënduarit”, thuhet në telegram.
Ambasada e Mbretërisë së Spanjës në vend dje njoftoi se shtatë të lënduar në zjarrin në diskotekën në Koçan janë transportuar në Spanjë me aeroplan mjekësor nga Norvegjia.
“Pas tragjedisë në Koçan, një aeroplan mjekësor i siguruar nga Norvegjia fluturoi nga Shkupi për në Madrid, duke transportuar shtatë persona të lënduar të cilët do të marrin kujdes mjekësor në spitalet në La Paz dhe Hetafe. Spanja është gjithmonë pranë Maqedonisë së Veriut dhe solidarizohet me viktimat e zjarrit, bëhet e ditur në llogarinë zyrtare të platformës “X” të Ambasadës Spanjolle në vend.
Spitalet La Paz dhe Hetafe kanë qendra të njohura kombëtare dhe ndërkombëtare për kujdesin e pacientëve me djegie.
Ambasada e Spanjës në RMV: Shtatë personat e lënduar nga Koçani të cilët janë për trajtim në Spanjë, janë në gjendje stabile appeared first on Telegrafi.