Alternativa ka reaguar në lidhje me pamjet që vijnë nga stacioni policor “Prolet” në Shhkup, në të cilat shihet se si qytetarët presin me orë të tëra për të para letërnjoftimet dhe pasaportat e reja.
Nga Alternativa thonë se “mërgimtarët janë arterie e rëndësishme ekonomisë së Maqedonisë së Veriut. Ata janë shpëtimtarë të qenies kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”.
“Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Banka Popullore, hyrjet neto nga remitancat e mërgimtarëve në periudhën janar-shtator 2023 arrijnë mbi 1,5 miliardë euro dhe janë më të larta për rreth 6.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këtu nuk hyn periudha e tremujorit të fundit të vitit. Kjo i bie se gjatë vitit të kaluar remitancat arritën afër dy miliardë euro (ose rreth 15 për qind e GDP-së). Dhe, “të shpërblehen” këta njerëz në këtë mënyrë, kjo nuk është vetëm nënçmim, por edhe mosmirënjohje ndaj kësaj kategorie të qytetarëve tanë. Është ironike qasja e institucioneve të shtetit ndaj tyre, pritjeve të mëdha në kufi, detyrimit për t`i ndërruar dokumentet, si dhe një sërë të drejtash që atyre u takojnë”.
“Sa për informacion, Alternativa gjatë periudhës sa ishte në Qeveri, përmes Ministrisë së Diasporës dhe ministrit të saj, Xhemail Cupi, propozoi hapjen e Qendrave të Diasporës, pikërisht për ndryshimin e qasjes së institucioneve të shtetit ndaj tyre. Kjo sigurisht do të vazhdonte sikur mos të ishte ndërhyrja për largimin tonë nga qeveria, me çka u shua edhe Ministria e Diasporës”, thonë nga Alternativa.
Ata i bëjnë thirrje Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të marrë masa dhe të krijojë kushte që ky problem të zgjidhet dhe mërgimtarët të mos e kalojnë pushimin duke pritur nëpër sportelet e MPB-së./Telegrafi/
Alternativa: Mos i keqtrajtoni mërgimtarët me pritje nga 6 orë për një pasaportë appeared first on Telegrafi.