Zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi, ka mbajtur sot një konferencë për media para Kabinetit të Presidentit të Shtetit në prag të fillimit të fushatës për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët për garën presidenciale.
Ademi tha se BDI, ashtu siç lajmëroi dje lideri Ali Ahmeti, ka nisur grumbullimin e nënshkrimeve për Bujar Osmanin, kandidat për President të vendit tonë.
“Pas Kryeministrit të parë shqiptar, zëvendës kryeministrit të parë, Ministrit të jashtëm, atij të mbrojtjes dhe të punëve të brendshme, avokatëve të shtetit dhe të popullit, kryetarëve të gjykatave kushtetuese, supreme, administrative, kryetarët e federatave të futbollit, mundjes dhe boksit, ka ardhur koha që të shtrojmë rrugën që edhe Presidenti i shtetit të jetë shqiptar.
Thelbi i idesë së liderit Ali Ahmeti është zgjedhja e presidentit të shtetit në Kuvend me 2/3 e votave dhe me shumicë të Badenterit për të siguruar konsenzus shoqëror, mbipartiak që mundësohet me mbi 80 vota në Kuvend dhe konsenzus etnik që mundësohet me shumicën e Badinterit në mënyrë që të parandalohet mbivotim etnik dhe imponimi vetëm nga dy partitë më të mëdha politike maqedonase”, tha Ademi.
Ademi kërkoi përkrahje absolute, masive të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë për kandidaturën e Bujar Osmanit që të na mundësojë ta ndryshojmë kushtetutën njëkohësisht, edhe për zgjedhjen e Presidentit dhe amandamentet kushtetuese që rrjedhin nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë.
I pyetur nëse kërkesa e BDI-së paralajmëron një bojkot të balotazhit presidencial, Ademi tha se bojkoti nuk është një mjet i përshtatshëm.
“Jemi plotësisht të fokusuar që të fitojmë sa më shumë mbështetje. Në të gjitha qytetet e Maqedonisë qytetarët po nënshkruajnë për kandidaturën e Osmanit. Jemi të fokusuar maksimalisht për të fituar”, tha Ademi./Telegrafi/
Ademi: Kërkojmë përkrahje maksimale për kandidaturën e Osmanit për president appeared first on Telegrafi.