Ergin Borova, 54 vjeç, notoi 23 kilometra në liqenin e Ohrit për bamirësi. Notin e filloi në 05.17 minuta në mëngjes, nga Muzeu mbi Ujë, afër Shën Naumit, për ta përfunduar atë rreth orës 13.30 në tek plazhi i qytetit në Strugë.

Ky veprim i rrallë dhe një sipërmarrje me sakrifica të mëdha personale të 54 vjeçarit, i notimit maratonë që zgjati mbi 7 orë pa ndërprerje bëhet si akt për mbështetje të një qendre ditore për fëmijë me nevoja të veçanta.

Pas përfundimit të notimit aq të gjatë, Borova tha: “Përfundova notin më herët, për shkak të stërvitjes të mirë. Uroj që kjo sfidë të rrisë vetëdijesimin për qendrën për fëmijë me nevoja të posaçme”.
Borova në vitin 2021 për të njëjtat qëllime kishte notuar 10 kilometra, por kësaj here, 3 vjet më pas notoi 23 kilometra. Më herët në postimin e tij para fillimit të notit maraton, ai kishte shkruar edhe pse është misioni i njëjtë sfida është e re dhe më e madhe, not 23 kilometra pa ndalë, por ajo bëhet “për të ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta” pranë qendrës që është në Strugë e që drejtohet nga Fondacioni me emrin “Care for disabled kids”.

Ergin Borova është nga Struga, por jeton në Holandë. Vitet e fundit është një nga ata bashkë atdhetarë, që shpesh është prezent në vendlindje duke investuar në projekte të ndryshme. Ai shpreson se ky veprim i tij, për të cilin duhet përgatitje dhe stërvitje me muaj të tërë, të nxisë individë apo dhe organizata të tjera të ndihmojnë qendrën për fëmijë me nevoja të posaçme në Strugë.

Frymëzim Ergin Borova tashmë konsiderohet frymëzim, jo vetëm se është 54 vjeç që arrin me sukses një sfidë kaq të madhe, por sepse dëshmon që me dedikim mund të realizohet çdo gjë. Këtë vit nismës së tij tejet të veçantë, notit prej 23 kilometra pa ndërprerë për qëllime bamirësie iu bashkuan edhe individë të tjerë.

Paralelisht me Borovën, Arben Tafa dhe Anes Demishoski pedaluan me biçikleta 100 kilometra rreth Liqenit të Ohrit. Betim Ibra dhe Angel Iloski vrapuan 10 kilometra si dhe Marija Bazhanoska vrapoi 10 kilometra në Greqi për të njëjtën kauzë. Nga stafi i Borovës thanë se këto veprim tërheq vëmendjen e njerëzve dhe si rrjedhojë ata edhe bëjnë donacione./Alsat.mk

54 vjeçari notoi 23 kilometra pa ndalë në liqenin e Ohrit për bamirësi appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version