Politikani shqiptar Talat Xhaferi sot pritet të bëhet kryeministër i një qeverie teknike në Maqedoninë e Veriut. Kjo është historike sepse për herë të parë në historinë e këtij shteti, një shqiptar vjen në krye të qeverisë.
Gjatë një interviste për mediet në Kosovë, Xhaferi ka treguar për kohërat e vështira kur shteti Maqedonas ka qenë diskriminues ndaj shqiptarëve atje.
Ai ka treguar edhe si i ka vendosur fëmijëve emra shqiptarë, në një kohë kur ishte e ndaluar.
“Unë kam dy fëmijë, djalin dhe vajzën. Djali ka lindur në Leskoc, vajza në Gostivar. Edhe këtu dhe atje ishte çështja e ndalesës së emrave shqip dhe ajo përvojë nuk është vetëm e imja, por në përgjithësi. Edhe këtu dhe atje ishte lista paraprake e emrave që lejohej të përdoreshin nga shërbimet civile. Prej asaj liste duheshe me zgjedh një emër”, ka treguar Xhaferi.
“Unë e them emrin e djalit Barlet, merr ta shkruajë, dhe unë i them pa J”, ka shtuar ai.
Kur është pyetur se çfarë kuptimi ka ky emër, Talat Xhaferi i ka thënë se është një emër internacional, duke mos i treguar që korrespodon me emrin e Marin Barletit.
“Vajza mban emrin Besiana, motivimi ime ashti që e kalonim rrugën Besiana dhe nga aty ishte frymëzimi”.
Më tej ai ka deklaruar se më herët ka qenë tabu që një shqiptar të ishte në krye të një institucioni në Maqedoninë e Veriut, por sot është realitet.
“Mendoj se është në kohë dhe nuk është e vonuar, për faktin që aspektet procedurale dhe formale i përcakton Ligji për Qeverinë. Që përcakton se 100 ditë para mbajtjes së zgjedhejve duhet të ketë qeveri teknike, e cila ka për prioritet organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve, dhe jo vetëm aspektet e kompetencave qeveritare dhe të funksionimit të institucioneve. Besoj se është në kohën e duhur dhe në momentin e duhur’, tha Xhaferi.
Ditën e sotme pritet mbledhja e Kuvendit, ku do të votohet forimi i qeverisë teknike./vizionplus.tv