Partia Progresiste serbe në pushtet ka fituar zgjedhjet e pjesshme lokale të 2 qershorit në Beograd dhe në pjesën më të madhe të qyteteve të tjera.
Pa përfunduar ende numërimi i të gjitha kutive të votimit, nga selia e partisë së tij presidenti Aleksandër Vuçiç shpalli fitoren.
“Kjo është një fitore e pabesueshme. Kemi fituar me rreth 52 përqind të votave në Beograd. Rezultatet në Novi Sad dhe Nish janë gjithashtu tepër bindëse. Serbia po hyn në një epokë të re dhe tani të gjithë kanë një mandat të qartë dhe të hapur për reformat dhe ndryshimet e nevojshme për shoqërinë serbe”, tha Vuçiç.
Por opozita u ankua për parregullsi në proces dhe deklaroi se nuk do ta njohë rezultatin. Dalja në zgjedhjet e një dite më parë ishte më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit 2023 në Beograd, pasi disa parti opozitare vendosën të mos marrin pjesë, duke pretenduar se nuk kishte kushte për zgjedhje të drejta dhe demokratike. /vizionplus.tv