Mijëra njerëz u mblodhën në disa qytete të Serbisë dje, të hënën, për të protestuar kundër projektit të minierës së litiumit të nënshkruar së fundmi nga qeveria e vendit ballkanik me Bashkimin Evropian.

Demonstratat u zhvilluan njëkohësisht në qytete të tilla si Savaç, Kraljevo, Arandjelovac, Lig dhe Barajevë, dhe tubime të ngjashme ishin zhvilluar në qytete të tjera serbe në javët e mëparshme.

Marrëveshja e fundit e arritur në fillim të këtij muaji për “lëndët e para kritike” mund të zvogëlojë varësinë e Evropës nga Kina.

Madje mund ta shtyjë Serbinë, e cila ka lidhje të ngushta me Pekinin dhe Moskën, më afër BE-së.

Megjithatë, marrëveshja është kritikuar ashpër nga ambientalistët dhe grupet opozitare në vend, të cilët argumentojnë se do të shkaktonte dëme të pakthyeshme në mjedis me pak përfitime për qytetarët serbë.

Depozita më e madhe e litiumit në Serbi ndodhet në një luginë në perëndim, e cila është e pasur me tokë pjellore dhe ujë.

Kompania shumëkombëshe britaniko-amerikane “Rio Tinto” kishte nisur disa vite më parë projektet e kërkimit në zonë, të cilat megjithatë shkaktuan reagime të mëdha, duke sjellë pezullimin e tyre.

Më parë këtë muaj, gjykata kushtetuese e Serbisë rrëzoi vendimin e mëparshëm të qeverisë për të anuluar një projekt minerar prej 2.4 miliardë dollarësh të nisur nga kompania, duke hapur rrugën për zbatimin e tij.

Vendimi i qeverisë për të anuluar planet e gërmimit erdhi pasi mijëra protestues në Beograd dhe jo vetëm, në Serbi bllokuan rrugët dhe urat kryesore në vitin 2021./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version