Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut, e udhëhequr nga koalicioni Fronti Evropian ka njoftuar nisjen e iniciativës “roja e gjuhës”.
Ky veprim, sipas organizatorëve synon të ndalojë tendencat politike që minojnë kushtetutën dhe marrëveshjen e Ohrit. Anëtarë të këtij koalicioni dhe qytetarë janë vendosur pranë gjykatës kushtetuese në Shkup dhe kanë deklaruar se do të qëndrojnë aty deri në shqyrtim të ligjit të gjuhëve në 11 dhjetor.
Pas kësaj ka reaguar koalicioni i partive shqiptare Vlen.
Në një deklaratë për media nga Vlen kanë thënë se opozita po kërkon të manipulojë opinionin publik me skenare të Nikolla Gruevskit.
“Shqiptarët le të rrinë të qetë. Gjuha shqipe do të mbrohet. Truket e BDI-së për t’u paraqitur në mënyrë të rreme si shpëtimtarë të problemeve të vetëshkaktuara nuk kalojnë. Ata morën karton të verdhë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, tani është koha për kartonin e kuq”, tha Vlen.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut gjithashtu e ka quajtur dramatik vendimin. Përmes një deklarate për shtyp, partia në pushtet Vmro Dpmne ka hedhur akuza të forta ndaj BDI dhe partisë maqedonase LSDM.
“BDI dhe LSDM kanë frikë se do të mbajnë përgjegjësi për të gjitha krimet dhe tradhtitë që kanë bërë, ndaj organizojnë protestë para Gjykatës Kushtetuese, që të mos përfundojnë në gjykatë tjetër. BDI dhe LSDM duke e ditur se asgjë nuk do të ndodhë të mërkurën, po fshihen dhe po mbjellin mjegull përmes protestës”, deklaroi Vmro Dpmne.
Të mërkurën Kushtetuesja do të shqyrtojë nenin 9 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili thekson se, në procedurat gjyqësore, administrative, ekzekutive, si dhe në të gjitha organet, trupat dhe institucionet, zbatohet gjuha maqedonase dhe gjuha që e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabeti i saj./vizionplus.tv