Nga Enkelejda Mema

Deklaratës së numrit dy të qeverisë së Beogradit, Aleksandër Vulin, se Shqipëria e Madhe mund të ndalet vetëm nga Serbia, kryeministri Edi Rama i dha këtë përgjigje:

“Një njeri i mençur ka thënë se pas të 40-tave, çdo njeri mban përgjegjësi për fytyrën që ka dhe nëse shikoni fytyrën e personit që i referoheni, mendoj që nuk meriton asnjë koment tjetër edhe deklarata e tij, apo deklaratat e tij”, tha Rama.
Pas samitit me udhëheqësit e rajonit, të Washingotinit dhe Brukselit zyrtar në Malin e Zi që anëtarësimi sa më i shpejt në Bashkimin Evropian është kryeçështja, Edi Rama tha se në këtë proces, tanimë të nisur, kryerolin e luajnë rezultatet në luftën kundër korrupsionit. Për këtë arsye nisma e qeverisë për një reformë të dytë në drejtësi synon të forcojë edhe më shumë shtyllat e saj të funksionimit dhe jo të dëmtojë pavarësinë e institucioneve të reja të drejtësisë e veçmas SPAK.
“Ky është muhabet kot sepse e para një herë, në rast se do të imagjinohej diçka e tillë ajo do duhet të kalonte përmes ndryshimesh të Kushtetutës. Kjo është një mënyrë për ta zvogëluar në perimetrin e gotës së furtunave të politikës së ditës një gjë aq të madhe, të rëndësishme sa ç’është tema e një dallge të re reformimi, saqë nuk ia vlen fare të humbasim kohë për këtë”, u shpreh Rama.

Në pritje të vendimit të opozitës si asaj brenda dhe jashtë parlamentit nëse do t’i bashkohet thirrjes në armë për të luftuar korrupsionin me artileri më të rënda, Edi Rama nuk i lëviz ftesës së tij.

“Të krijohet një hapësirë, një zonë e ndaluar për sherret e përditshme politike që mund të vazhdojnë normalisht siç kanë vazhduar deri tani në hapësirat e tjera dhe aty të flitet teknikisht dhe të flitet me gjuhën e ekspertizës dhe jo të flitet me gjuhën e shthurur të politikës të ditës. Besoj që kjo edhe do të ekspozojë shumë gjëra në pikëpamje të qasjes, nëse ka ende nevojë të ekspozohen gjëra për sa i përket partive politike në Shqipëri”, tha kryeministri Rama.

Dy ditë nga takimi me shqiptarët e Greqisë dhe për të cilin e gjithë opozita e akuzon se mbushi stadiumin “Galatsi” në Athinë me shqiptarë të ardhur nga Shqipëria, kryeministri i vlerësoi si fyese.

“Përpjekja absurde për ta projektuar në sytë e atyre që duan të besojnë çdo lloj marrëzie, por jo të vërtetën për arsye politike, atë valle kuq e zi do të thosha, në zemër të Athinës, si një takim të bërë me autobus të administratës dhe më vjen keq sepse fyhet dinjiteti, lëndohet sedra dhe zemra e të gjithë atyre që kishin ardhur atje dhe që ishin edhe njerëz që as nuk na kanë votuar ndonjëherë, madje që ishin të njohur si njerëz që i përkisnin palëve të tjera politike”, tha Rama.

Takimi me diasporën në Greqi do të pasohet nga ai në Itali. Në 26 maj Edi Rama do të mbledhë shqiptarët në pallatin e lojrave me dorë në Bursto Arsizio në Milano./vizinplus.tv/

Share.
Exit mobile version