Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar për protestat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët kërkojnë të drejtat e tyre legjitime që rrjedhin nga marrëveshja e nënshkruar në vitin 2001.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Meta shkruan se Partia e Lirisë solidarizohet me protestën legjitime të shqiptarëve për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Konventa Europiane e të Drejtave të Minoriteteve që Serbia ka firmosur, si dhe të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara mes përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve dhe Qeverive në Beograd.

Partia e Lirisë mbështet me forcë kërkesat e drejta të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për Dinjitet dhe Identitet dhe solidarizohet me protestën e tyre legjitime për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Konventa Europiane e të Drejtave të Minoriteteve që Serbia ka firmosur, si dhe të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara mes përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve dhe Qeverive në Beograd:

.Plani dhe Programi për zgjidhjen e krizës në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe Marrëveshja e Konçulit e vitit 2001;

.Marrëveshja për riorganizimin e Trupit Koordinues dhe Rikonfirmimit të parimeve të Marrëveshjes së vitit 2001;

.Plani 7 pikësh, të cilin Qeveria e Serbisë, në tërësi e ka aprovuar më 2013.

I bëjmë thirrje të gjithë institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë garantuar këto marrëveshje të reagojnë, veprojnë dhe ruajnë besueshmërinë e tyre.

Ndalimi i çdo formë diskriminimi të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore të Luginës së Preshevës, heqja dorë nga praktikat shkombëtarizuese si procesi i pasivizimit të adresave, respektimi i plotë i lirive dhe të drejtave themelore individuale dhe kolektive të shqiptarëve, ndihmon bashkëjetesën ndëretnike atje dhe kontribuon për paqen e stabilitetin në rajon”, shkruan Meta./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version