Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, ka deklaruar se mos-gatishmëria e Kosovës dhe Serbisë për të zbatuar Marrëveshjet e dala nga procesi i dialogut i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është një mundësi e humbur për të dyja palët.
“Takimet e Josep Borrellit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tregojnë se si palët duhet të ripërkushtohen për t’i luftuar problemet dhe për t’i ndjekur mundësitë brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Moszbatimi i marrëveshjeve të kaluara është me të vërtetë një mundësi e humbur për të dyja palët”, tha James O’Brien.
Takimi i nivelit të lartë mes Kurtit dhe Vuçiç nuk u zhvillua edhe pse ishte paralajmëruar më herët nga BE duke mos prodhuar kështu asnjë rezultat.
Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell,tha se kryeministri I Kosovës e kushtëzoi vazhdimin e dialogut me tri kërkesa: nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, tërheqjen e letrës me të cilën Serbia refuzoi zyrtarisht ta zbatojë marrëveshjen me Kosovën dhe dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, të dyshuar për sulmin e armatosur në Banjskë.
Borrell theksoi po ashtu se Vuçiç nuk ishte i gatshëm t’i pranonte plotësisht kushtet e Kosovës./vizionplus.tv