Kosova dhe Serbia, deri më 22 mars, do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish për diskutimin e opsioneve, tha kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi.

Ai dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.

Ndër temat që u diskutuan ishte rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, me të cilën euroja u bë mjet i vetëm pagese dhe, rrjedhimisht, përdorimi i dinarit serb u ndalua.

Çështja, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Duke folur pas takimit, Petkoviq tha se gjëja e parë për të cilën këmbënguli pala serbe ishte themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sepse kjo, sipas tij, do ta zgjidhte edhe çështjen e financimit të të gjitha institucioneve serbe në Kosovë”.

Petkoviq tha se është gjithashtu e rëndësishme që të gjendet një zgjidhje, e cila do të mundësonte vazhdimin e funksionimit të bankës së Serbisë në Kosovë, Kursimorja e Postës.

Ai shtoi se pret që bisedimet të vazhdojnë “në frymë konstruktive” – ndoshta nga fillimi i javës së ardhshme.

Bashkimi Evropian paralajmëroi një ditë më herët se do të shtojë trysninë mbi dy vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të hënën se është arritur pajtueshmëri për, siç u shpreh, një pjesë të propozimit amerikan për dinarin, dhe shtoi se “do të ishte ideale” që për këtë çështje të arrihet një marrëveshje gjatë takimit të sotëm në Bruksel.

Javën e kaluar, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranoi ta pezullojë rregulloren e BQK-së, derisa BE-ja, SHBA-ja dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.

Megjithatë, Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i hodhi poshtë pretendimet e Osmanit për pajtueshmëri, duke i cilësuar si “gënjeshtra”.

Serbia këmbëngul se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, ndërsa për Kosovën ajo është teknike dhe ka të bëjë me integritetin financiar të vendit.

Një takim për të u zhvillua edhe në fund të shkurtit, por pa ndonjë dakordim. Zyrtarët evropianë thanë atëkohë se “shumë pyetje politike” për rregulloren e BQK-së mbeten pa përgjigje.

Share.
Exit mobile version