Autoritetet në Gjermani, me ndihmën e Europol-it, shkatërruan zinxhirin më të madh të mashtrimit deri më tani përmes call center-ave  të vendosura në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Liban.

“Autoritetet hetimore në Baden-Württemberg kanë arritur të zbulojnë rastin më të madh të mashtrimit përmes call center-ave në Evropë deri më sot”, tha Ministri i Brendshëm i shtetit federal të Baden-Württemberg, Thomas Strobl.

Sipas informacioneve të tij, autoritetet hetuese gjermane, me ndihmën e Europolit dhe forcave lokale të policisë, kanë kryer kontrolle në 12 call center në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Liban më 18 prill dhe kanë arrestuar 20 persona.

Siç është bërë e ditur, punonjësit e call center-ave kanë telefonuar në Gjermani persona të paraqitur si familjarë, anëtarë të shërbimeve shtetërore apo qendrave financiare dhe u kanë zhvatur viktimave me metoda të ndryshme.

Mashtruesit kërkonin para nga viktimat me pretekstin e nxjerrjes së një familjari nga telashet ose kërcënuan me dënime për veprat e dyshuara të kryera nga viktimat.

Mashtrimet u zbuluan pasi një punonjës i një banke vuri re se një klient dëshironte të transferonte 100 mijë euro në një llogari të panjohur jashtë vendit.

Hetuesit që nga dhjetori kanë regjistruar mbi një milion telefonata, ndërsa në 6000 raste kanë ndodhur mashtrime, me dëme mbi 10 milionë euro.

Në Gjermani zbulohen rregullisht rastet e mashtrimit përmes telefonit dhe viktimat janë kryesisht të moshuar ose emigrantë. /vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version