Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe njëkohësisht kryetar i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari bëri të ditur të enjten, më 15 shkurt,  se do të kandidojë për president në zgjedhjet e 24 prillit në Maqedoninë e Veriut.

Vetëm pak ditë më parë ai ishte shprehur se nuk ishte i interesuar të merrte pjesë në këtë garë. Zoti Taravari tha tashmë se ideja për të qenë kandidat për president i ishte propozuar para një muaji “nga miq dhe bashkëmendimtarë”, siç tha ai. Kandidatura e tij pritet të mbështetet nga partitë shqiptare të opozitës, pjesë të Lëvizjes Evropiane për Ndryshim.

Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Ledion Krisafi, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “7pa5” të moderuar nga Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova tha se ndryshe nga Shqipëria gara për President në Maqedoninë e Veriut është e hapur pasi presidenti nuk zgjidhet nga Parlamenti.

Ledion Krisafi: Në dallim nga Shqipëria që zgjedh Presidentin në Parlament, Maqedonia e Veriut ka zgjedhje presidenciale. Është një garë shumë e hapur, i jep më shumë të drejtëa Presidentit, ka më shumë zë se sa ka në Shqipëri. Ka dy raunde, ku në raundin e parë marrin pjesë të gjithë kandidatët dhe më pas në raundin e dytë kalojnë dy kandidatë që marrin më shumë vota.

Gjithashtu është përfolur se një tjetër shqiptar do të kandidojë për president. Bëhet fjalë për Bujar Osmanin. Eksperti mendon se kjo është më shumë një “matje forcash” mes kandidatëve shqiptarë.

Ledion Krisafi: Në këtë rast është një matje forcash mes kandidatëve shqiptarë. Që një shqiptar të bëhet President i Maqedonisë duhet që BDI ta mbështesë, dhe një nga partitë kryesore VMRO-DPMNE ose LSDM ta mbështesin, vetëm në këtë mënyrë mund të ketë shanse për tu zgjedhur. VMRO-DPMNE nuk ka shans të votojë një kandidat shqiptar. E vetmja zgjidhje është që BDI bashkë me LSDM mund të arrijë në kompromis me njëra-tjertrën për të zgjedhur një President shqiptar. Por varet se si do të reagojnë maqedonsit etnikë.

Çfarë ndikimi do ketë në politikën e rajonit zgjedhja e një Presidenti shqiptar në Maqedoninë e Veriut? Eksperti tha se kjo do të sillte një bashkëpunim më të madh mes tre shteteve me drejtues shqiptarë, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut, por ky bashkëpunim nuk do të shihej me sy të mirë nga Bashkimi Evropian. Sipas ekspertit, BE i druhet “Shqipërisë së madhe”.

Ledion Krisafi: Maqedonia që në kohën e Jugosllavisë ka qenë një nga vendet ku shqiptarët kanë qenë të diskriminuar. Ka qenë një diskriminim total. Një shqiptar President do të ishte një ndryshim i jashtëzakonshëm, total i asaj çka ka ndodhur. Në nivel rajonal do të krijonte një bashkëpunim  të madh, sidomos mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Nga ana e BE-së nuk do shihej me sy shumë të mirë. Ata kanë një lloj frike të heshutur nga ajo që quhet Shqipëria e madhe. Një bashkëpunim mes tre shteteve me  drejtues shqiptarë nuk do shihej me sy shumë të mirë nga BE. Por megjithatë nuk e dimë se si do reagonin maqedonsit etiknë sepse mund të shtojë zërat nacionalistë.

Share.
Exit mobile version