Ditëve të fundit, është raportuar se Rusia ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar për disa zyrtarë të njësive elite të Policisë së Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi se janë informuar zyrtarisht për fletarrestin ndërkombëtar ndaj komandantit të njësisë speciale, Besart Ahmeti.
Ai tha se nga Rusia nuk pritet asgjë e mirë, por kjo siç tha Sveçla, nuk është brengë e tij e as Ahmetit.
“Prej Rusisë nuk pritet asgjë mirë, Besarti është mirë…e dimë, e kemi informatën zyrtare por nuk është ajo brenga as e imja, as e Besartit”, deklaroi Sveçla para mediave.
Fletarrestet e Rusisë ndaj pjesëtareve të Policisë së Kosovës vijnë pak muaj pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë dhe si kundërpërgjigje ndaj flet-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i për kryekriminelin serb të veriut, Milan Radojçiq dhe disa pjesëmarrës të tjerë në sulmin terrorist në Banjskë.
Megjithëse pretekst është marrë pjesëmarrja e tyre në vitet e fundit në aksionet e Policisë për vendosjen e rendit dhe ligji në veri të Kosovës, përfshirë arrestimin e një shtetasi rus më 2019, për barrikadat në veri.
Me lëshimin e këtij fletarrestimi, Rusia ka kërkuar që këta zyrtarë policorë kosovarë të futen në listën e kërkimit të INTERPOL-it.