Prezantimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor në Shkup ishte edhe një konfirmim se Bashkimi Evropian (BE) është i përkushtuar për të përshpejtuar integrimin e rajonit në strukturat e saj.
Integrimi i rajonit dhe qasja në tregun e përbashkët evropian, e përcjellë me një fond prej gjashtë miliardë eurosh, pritet të zvogëlojë dallimin e zhvillimit socio-ekonomik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si një parakusht për anëtarësim më të shpejtë në Union.
Sekretarja e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, ishte e pranishme në Shkup. Këshilli që drejton ajo është më meritori në ngjizjen e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit, i cili çon drejt krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal.
Bregu flet për fazat e implementimit të Planit të Rritjes dhe përfitimet konkrete që qytetarët e vendeve të rajonit do t’i kenë.
Liderët e Ballkanit Perëndimor miratuan ne Shkup një deklaratë të përbashkët si një angazhim për zbatimin e aktiviteteve nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Kryeministri Kovaçevski tha se plani i rritjes do të përshpejtojë reformat themelore për Ballkanin Perëndimor, duke krijuar një lidhje me Tregun e Përbashkët Rajonal. Pasi keni marrë pjesë në takim, a mund të elaboroni mbi implikimet praktike të këtij angazhimi për rajonin?
Majlinda BREGU: Sigurisht. Do të thotë shumë gjëra, por le të fillojmë së pari me lajmin e mirë: Komisioni Evropian prezantoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor në nëntor të vitit të kaluar, duke synuar të sjellë disa nga përfitimet e anëtarësimit në BE në rajonin tonë përpara anëtarësimit. Plani synon të nxisë rritjen ekonomike dhe të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike aq të nevojshme, i mbështetur nga një angazhim prej gjashtë miliardë eurosh në grante dhe kredi. Gjatë takimit, përfaqësuesit e KE-së njoftuan se shpërndarja e këtyre fondeve pritet të nisë këtë verë – një nxitje shumë e nevojshme për një rajon që ka nevojë urgjente për mbështetje financiare.
Megjithatë, pas çdo lajmi të mirë fshihet një punë e konsiderueshme. Duhet të ndërmerren shumë hapa të vegjël për të hapur rrugën për përparime më thelbësore që na afrojnë me qëllimin tonë përfundimtar: anëtarësimin në BE. “Rruga jonë me tulla të verdha” për atje është mjaft e qartë – avancimi i një agjende kombëtare reformash dhe krijimi i një Tregu të Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor, shërben si një hap themelor për në Tregun Unik të BE-së, duke çuar përfundimisht drejt anëtarësimit të plotë në BE. Megjithatë, ndërsa vizioni është i qartë, sfida qëndron në sigurimin e veprimit të shpejtë që përputhet me qartësinë e vizionit, sepse nuk mund të ketë akses në Tregun Unik të BE-së pa avancuar integrimin e rajonit.
Për ta bërë këtë përpjekje të suksesshme për të gjitha vendet e rajonit, duhet të bëjmë dy procese paralele brenda këtij viti. I pari përfshin përmirësimin e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal përtej vitit 2024, kurse procesi i dytë përfshin formulimin e një udhërrëfyesi për t’u bashkuar me Tregun Unik të BE-së.
-: Në të vërtetë, ju përmendët se RCC tashmë ka nisur punën për Planin e ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe do ta paraqesë atë për miratim në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit. Cilat aspekte të rëndësishme mund të ndani në lidhje me këtë plan të ri?
Majlinda BREGU: Tregu i Përbashkët Rajonal është modeluar sipas logjikës së Tregut Unik të BE-së, me katër liri të rrënjosura thellë në të – lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe lirinë për t’u vendosur dhe ofruar shërbime. Në këtë fazë të re, ai do të përmirësohet me fokus shtesë në rritjen e kapitalit njerëzor, diçka që e vumë re si të nevojshme gjatë kësaj faze të shkuar të zbatimit, për shkak se edukimi dhe inovacioni luajnë një rol të rëndësishëm në identifikimin e burimeve të reja të rritjes ekonomike dhe mekanizmave për transformimin e ardhshëm. Trajtimi i mungesës së vendeve të mira të punës dhe largimi i vazhdueshëm i të rinjve nga rajoni është thelbësor. Migrimi dhe ikja e trurit paraqesin sfida të konsiderueshme për shoqëritë e Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, plani ka prioritet fuqizimin ekonomik të grave, digjitalizimin për qeverisje dhe shërbime më të mira, sigurinë kibernetike dhe heqjen e barrierave për lëvizjen e qytetarëve brenda rajonit.
Tani, bashkëpunimi rajonal ka bërë një ndryshim mjaft domethënës në të gjithë rajonin me zbatimin tashmë të Tregut të Përbashkët Rajonal. Rajoni ynë tani është në roaming pa pagesë për gati tre vjet. Që nga tetori i kaluar, tarifat e roamingut me BE-në janë dukshëm më të ulëta, duke e bërë udhëtimin drejt BE-së për qytetarët tanë më të lirë dhe që është akoma më e rëndësishme, pa stres nga faturat gjigante të telefonit. Janë nënshkruar katër marrëveshje lëvizshmërie, duke mundësuar qarkullim më të lehtë të studentëve në rajonin tonë me procedura më të thjeshta për njohjen e diplomave, si dhe të kualifikimeve profesionale për shtatë profesione. Korsitë e gjelbra për të cilat rajoni u pajtua gjatë pandemisë mundësoi furnizim të pandërprerë me ilaçe dhe ushqime në rajon, dhe tashmë të zgjatura në periudhën pas pandemisë po shkurtojnë ndjeshëm kohën e pritjes në pikat kufitare. Korsitë e gjelbra ekzistuese, vitin e kaluar, kanë kursyer 20 vite pritje.
A nuk është kjo e mahnitshme? Ndërsa rezultatet janë premtuese, përpjekjet tona duhet të dyfishohen, sepse këtu qëndron perspektiva jonë e së ardhmes, në bashkëpunimin rajonal. Tregu i Përbashkët Rajonal mund të shërbejë si një mjet drejt Tregut Unik të BE-së, me kusht që të funksionojë pa probleme, pa pengesa nga mosmarrëveshjet rajonale. Prandaj, përkushtimi i liderëve në Shkup mirëpritet ngrohtësisht.
Megjithatë, po sikur një vend të bllokojë procesin për shkak të çështjeve dypalëshe ose të njëanshme, siç e kemi parë me ngërçin e dialogut Beograd-Prishtinë ose me Bosnjë dhe Hercegovinën që bllokon marrëveshjen e udhëtimit me karta identiteti?
Majlinda BREGU: Ky është një realitet fatkeq i rajonit tonë, pasi ne nuk shohim shumë gjëra sy më sy dhe konsensusi është sfidues për t’u arritur. Por ka edhe shumë të tjera për të cilat e bëjmë këtë dhe njëri nuk duhet t’i pengojë tjetrit. Megjithatë, pavarësisht dallimeve tona, ne nuk duhet të lejojmë që një çështje të pengojë përparimin e të tjerave. Kjo ndjenjë pati jehonë në takimin e liderëve, duke theksuar nevojën për të siguruar që marrëveshjet e arritura dhe të miratuara me mund të zbatohen pa pengesa nga asnjëra palë.
Kjo na kthen te lajmi i mirë që përmenda në fillim të kësaj interviste që mund të mos jetë aq i mirë për ata që zgjedhin të jenë në anën e bllokimit. Komisioni Evropian po shqyrton në mënyrë aktive mekanizmat për të parandaluar bllokimet, duke nënkuptuar se përpjekja për të penguar progresin në nivel rajonal, vetëm do të pengojë fondet shumë të nevojshme për palën penguese, duke i lejuar të tjerët të vazhdojnë pa ndërprerje. Me kalimin e kohës për rajonin tonë, ngërçet dhe bllokimet e vazhdueshme nuk janë më të përballueshme. Qëndrimi i palëvizshëm kur situata kërkon vrapim, e rrezikon qëllimin tonë dhe është thelbësore që ne të përpiqemi kolektivisht për përparim përpara se të vijë ‘dimri’.